BE-ja miratoi Agjendën reformuese për Maqedoninë e Veriut konform Planit për rritje për Ballkanin Perëndimor
- Agjendat reformuese të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Kosovës janë miratuar në kuadër të Instrumentit të ri për reforma dhe rritje në vlerë prej 6 miliardë euro, të njohur si Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor, bën të ditur në rrjetin “X”, presidenca hungareze pranë BE-së.
- Post By Fami Bajrami
- 23:13, 11 tetor, 2024
Shkup, 11 tetor 2024 (MIA) - Agjendat reformuese të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Kosovës janë miratuar në kuadër të Instrumentit të ri për reforma dhe rritje në vlerë prej 6 miliardë euro, të njohur si Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor, bën të ditur në rrjetin “X”, presidenca hungareze pranë BE-së.
"Kjo hap rrugën që parafinancimi të fillojë gjatë kryesimit hungarez me Unionin. Mbështetja e integrimit për Ballkanin Perëndimor mbetet prioritet kyç i presidencës hungareze", thuhet në komunikatë.
Konform Planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor në vlerë 6 miliardë euro, vendi duhet të marrë 750 milionë euro të shpërndara në disa këste, ndërsa kësti i parë prej 7 për qind, pra 52.5 milionë euro, shteti do ta merr më së voni deri në fund të vitit.
Sipas formulës nga Rregullativa për instrumentin për reforma dhe rritje, të miratuar nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, Maqedonia e Veriut duhet të marrë 750,4 milionë euro për periudhën 2024-2027. Këto mjete do të kushtëzohen nga realizimi i hapave konkret cilësor dhe sasior lidhur me masat për reformat e planifikuara.
Këshilli i Bashkimit Evropian në fillim të muajit maj të këtij viti miratoi Planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor ku me 6 miliardë euro shtesë të siguruara duhet të mbështesë vendet në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Foto: Presidenca hungareze në X