• e martë, 25 qershor 2024

BE-ja me sanksione të reja për Rusinë

BE-ja me sanksione të reja për Rusinë

Luksemburg, 24 qershor 2024 (MIA) - Këshilli i Punëve të Jashtme të BE-së në takimin e sotëm në Luksemburg miratoi sanksione të reja kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.

Sanksione të reja janë të synuara në sfera me vlerë të lartë për ekonominë ruse, siç janë energjia, financat dhe tregtia, dhe kanë për qëllim ta rëndojnë anashkalimin e sanksioneve të BE-së.

Sanksione janë vendosur edhe për 116 persona fizikë dhe juridikë.

BE ndalon shërbimet e transportit të gazit natyror të lëngshëm rus në territorin e BE-së për transferim në vendet e treta. Kjo përfshin transngarkimin nga anije në anije dhe shkarkimin nga anije në breg, por nuk ndikon në import, vetëm rieksport në vendet e treta nëpërmjet BE-së.

Ndalohen investime të reja, si dhe sigurimi i mallrave, teknologjisë dhe shërbimeve për përfundimin e projekteve për gaz të lëngshëm natyror në ndërtim, siç janë Arktik LNG 2 dhe Murmanski LNG. Vendosen kufizime për import të gazit të lëngshëm rus përmes terminaleve në BE, të cilat nuk janë të lidhura me sistemin e transmetimit të gazit. 

Kompanitë amë të BE-së do të duhet të sigurojnë që filialet e tyre jashtë shtetit të mos angazhohen në asnjë aktivitet që çon në anashkalimin e sanksioneve evropiane. Tregtarëve të armëve do t'u kërkohet të kontrollojnë nëse marrëveshjet e tyre mund të çojnë në rieksport në Rusi. Kufizime të ngjashme janë në fuqi për shitësit e teknologjisë së industrisë së mbrojtjes.

Për sa i përket financave, është futur një ndalim për përdorimin e sistemit për transmetimin e mesazheve financiare (SPFS), i zhvilluar nga Banka Qendrore e Rusisë për të neutralizuar efektin e sanksioneve evropiane. Subjektet e BE-së që operojnë jashtë Rusisë do të ndalohen të lidhen me SPFS ose shërbime të ngjashme të specializuara të mesazheve financiare. Kompanitë e BE-së do të ndalohen të bëjnë transferime me persona të specifikuar që përdorin SPFS jashtë Rusisë.

Një ndalim i transfertave me institucionet e synuara krediti dhe financiare dhe ofruesit e kripto-aseteve të krijuar jashtë BE-së vendoset kur këto subjekte lehtësojnë transaksionet që mbështesin industrinë ruse të mbrojtjes përmes eksportit, furnizimit, shitjes, transferimit ose transportit në Rusi të mallrave me përdorim të dyfishtë. dhe përdorimin e teknologjisë, municionit dhe armëve të zjarrit.

Gjithashtu ashpërsohen kushtet për financimin e partive politike dhe fondacioneve, organizatave joqeveritare dhe mediave në BE. Ato nuk do të mund të financohen nga Rusia dhe aleatët e saj. 

Këshilli i BE-së shton 61 entitete në listën e atyre të cilët drejtpërdrejt e mbështesin prodhimtarinë ushtarake ruse. Disa nga këto entitete gjenden në Kinë, Kazakistan, Kirgistan, Turqi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Vendoset ndalesë për ekport të kemikaleve, plastikës, ekskavatorëve, monitorëve dhe pajisjes elektrike. fc/ 

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR