• e hënë, 23 dhjetor 2024

BE-ja edhe zyrtarisht uroi Sandun për fitoren në zgjedhjet presidenciale në Moldavi

BE-ja edhe zyrtarisht uroi Sandun për fitoren në zgjedhjet presidenciale në Moldavi

Bruksel, 4 nëntor 2024 (MIA) – Bashkimi Evropian ka uruar Maja Sandun për rizgjedhjen e saj për një mandat të dytë si presidente e Moldavisë, thuhet në deklaratën e përbashkët të Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesit të lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Zhosep Borel pas raundit të dytë të djeshëm të zgjedhjeve presidenciale në këtë ish republikë sovjetike.

"Përgëzojmë autoritetet moldave për zbatimin e suksesshëm të zgjedhjeve pavarësisht ndërhyrjes së paprecedentë të Rusisë, duke përfshirë blerjen e votave dhe përhapjen e dezinformatave. Këto aktivitete hibride ishin një përpjekje për të minuar institucionet demokratike të vendit dhe rrugën e saj drejt BE-së", theksohet në deklaratë.

Bashkimi Evropian thekson se mbështet sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Moldavisë, përfshirë atë përmes Fondit evropian të paqes dhe Misionit të partneritetit të Bashkimit Evropian, duke shtuar se vendi ka qenë i pari që lidhi partneritet të sigurisë dhe mbrojtjes me BE-në.

"Referendumi i fundit konfirmoi përkushtimin e popullit moldav për rrugën evropiane dhe forcimin e mëtejshëm të lidhjeve tona të ngushta. BE-ja do të vazhdojë të punojë me presidenten dhe autoritetet moldave për të promovuar reformat e mëtejshme dhe për të forcuar stabilitetin dhe prosperitetin e vendit në rrugën e saj drejt BE-së përmes Planit të rritjes të shpallur së fundmi për Moldavinë", thuhet në deklaratën e përbashkët të KE-së dhe Borelit.

Më herët, liderët e institucioneve evropiane në postimet e tyre në platformën X kanë uruar fitoren e Sandut në zgjedhje.

"Urime e nderuara presidente Maja Sandu për fitoren në zgjedhjet presidenciale në Moldavi", thekson në postimin e tij kryetari i Këshillit të BE-së, Sharl Mishel.

Sipas tij, duke mbështetur Sandun, populli i Moldavisë konfirmoi besimin e saj në udhëheqjen, stabilitetin dhe përkushtimin e saj për të ardhmen evropiane.

Me fjalët “urime e dashur Maja Sandu”, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen ka uruar presidenten e shtetit të Moldavisë për fitoren në zgjedhje.

"Nevojitet një lloj force e rrallë për të kapërcyer sfidat me të cilat u përballët në këto zgjedhje. Jam i lumtur që vazhdoj të punoj me ju drejt së ardhmes evropiane për Moldavinë dhe popullin e saj", thekson Fon der Lajen në postimin.

Kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Mecola, deklaroi se Sandu e cila udhëhoqi forcimin e demokracisë, shtetit ligjor dhe të ardhmes evropiane është rizgjedhur presidente.

"Ajo tregoi guxim dhe lidership të jashtëzakonshëm për t’i dalë në mbrojtje popullit të saj. Evropa do të vazhdojë të qëndrojë krah Moldavisë në këtë rrugë", ka thënë Mecola.

Sipas Përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Zhosep Borel, me rizgjedhjen e Sandut, moldavët kanë dëshmuar edhe një herë vendosmërinë e tyre për të ndërtuar një të ardhme evropiane pavarësisht përpjekjeve hibride për të minuar demokracinë.

Sipas komisarit evropian për politikë të fqinjësisë dhe zgjerimit, Oliver Varheji, duke i dërguar "urime të përzemërta" Sandut për rizgjedhjen e saj, deklaroi se BE-ja vazhdon të mbështesë Moldavinë në rrugën e saj evropiane.

Foto: ENR

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR