• e hënë, 23 dhjetor 2024

Begaj-Pirc Musar për Kosovën: Dialogu është i domosdoshëm, pa zgjidhur këtë çështje nuk ka paqe në rajon

Begaj-Pirc Musar për Kosovën: Dialogu është i domosdoshëm, pa zgjidhur këtë çështje nuk ka paqe në rajon

Tiranë, 13 korrik 2023 (MIA) - Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare dyditore në Slloveni, dhe kolegia e tij Natasha Pirc Musar, në konferencën e përbashkët të sotme për media, janë fokusuar edhe në situatën në veri të Kosovës.

Duke theksuar rëndësinë e stabilitetit në rajon, presidenti shqiptar tha se çdo “çështje e vjetër apo e re në rajon duhet të zgjidhet me dialog”.

"Shqipëria promovon paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Situata në veri të Kosovës na tregon se stabiliteti është shumë i rëndësishëm. Na takon ne të ndërtojmë ura komunikimi. Çdo çështje e re apo e vjetër duhet diskutuar, zgjidhja vjen vetëm me dialog. Të vazhdojë ajo që liderët e Kosovës dhe Serbisë pranuan në Bruksel dhe anekset në Ohër", porositi Begaj, transmeton Top Çenël.

Nga ana e saj, Pirc Musar ka shprehur pakënaqësinë për atë që po ndodh në Kosovë dhe ka vlerësuar se “nuk ka paqe në rajon, nëse kjo çështje nuk zgjidhet”.

"Nuk jemi të kënaqur me atë që po ndodh atje. Mendoj se jemi në të njëjtën rrugë, që nëse vazhdohet kështu, nuk është mirë për shtetet. Nëse problemi nuk zgjidhet, nuk do të kemi paqe në këtë rajon. Është përshkallëzuar deri në atë pikë sa kemi dëgjuar për lëvizje ushtarake dhe retorikë të ashpër nga të dy vendet. Duhet të miratohet dhe respektohet sa më parë marrëveshja e nënshkruar për komunat serbe dhe premtimi i Serbisë se nuk do ta pengojë rrugën e Kosovës për në Evropë", tha presidentja sllovene.

Krerët e dy vendeve diskutuan edhe për rrugën eurointegruese të Shqipërisë, për të cilën Begaj mori garancitë e mbështetjes nga Sllovenia, si dhe bashkëpunimin dypalësh në disa fusha. vt/sa/

foto: Kabineti i presidentit Begaj

 

QËNDRONI TË LIDHUR