• e hënë, 23 dhjetor 2024

Begaj një ditë para fillimit të fushatës zgjedhore dëshiroi proces korrekt dhe të paanshëm

Begaj një ditë para fillimit të fushatës zgjedhore dëshiroi proces korrekt dhe të paanshëm

Tiranë, 13 prill 2023 (MIA) - Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka zhvilluar sot një takim me drejtues të institucioneve dhe strukturave të angazhuara me zgjedhjet dhe me këtë rast ka përcjellë mesazhin për rëndësinë e sigurimit të standardeve zgjedhore, si garanci e përfaqësimit të vullnetit të qytetarëve.

“Sigurimi i standardeve zgjedhore jep garanci për një pushtet i cili përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Një proces zgjedhor i drejtë, i paanshëm dhe i bazuar tërësisht në kushtetutë e ligj, është detyrim thelbësor ndaj vendit tonë. Me reformën në sistemin e drejtësisë dhe me fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, vendi ynë ka hapur qartazi një faqe të re në historinë e demokracisë shqiptare. Proceset demokratike në Shqipëri janë ndërtuar, zhvilluar dhe forcuar me kontributin e çdo bashkëqytetari të angazhuar brenda e jashtë vendit", theksoi Begaj.

Institucionet që ju përfaqësoni, kanë përgjegjësinë e madhe të prezantimit, menaxhimit dhe performancës, të të gjithë procesit zgjedhor sipas standardeve demokratike”, u shpreh kreu i shtetit shqiptar.

“Miradministrimi i këtyre zgjedhjeve nga ana juaj, sipas përgjegjësive që ju ngarkon ligji, duhet të përmbushi këto standarde të pacenueshme, në mënyrë që këto zgjedhje të mos cilësohen thjesht si më të mira se sa ato të viteve të mëparshme”, tha Begaj.

Ai shtoi se është mëse e natyrshme që partitë politike të përfshihen në fushatë elektorale me gjithë entuziazmin që përfaqësojnë ofertat politike, por ky nuk mund të jetë entuziazmi i asnjë aktori institucional përgjegjës për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe se partitë politike duhet të paraqesin vetëm ofertën dhe kjo ofertë duhet dhënë në mënyrë sa më të qartë dhe sa më transparente.

“Eksperiencat e mëparshme na kanë përballur jo rrallëherë me fenomene negative dhe me forma të paligjshme si pjesë e fushatës zgjedhore, për të cilat institucionet jo gjithmonë kanë reaguar me sukses ndaj tyre”, u shpreh Begaj.

Presidenti Begaj u bëri thirrje të gjithë subjekteve të përfshira në fushatë elektorale, “që të mos e konsiderojnë konkurrimin si mundësi të denigrimit të njëri-tjetrit, por të angazhohen në garë me idetë më inovative për përmirësimin e jetesës së qytetarëve dhe për zhvillimin social- ekonomik të tyre, duke ruajtur kulturën, traditat, si dhe duke mbrojtur mjedisin e secilës prej njësive vendore të vendit tonë”.

“Etika e garës dhe e komunikimit duhet të rrezatojë qytetari, mirësjellje dhe respekt, jo negativitet armiqësi apo agresivitet; argumente dhe jo sharje; mundësi zgjedhjeje dhe jo kërcënime; respekt të ndërsjellë dhe jo armiqësi ndaj njëri-tjetrit. Kjo është fryma me të cilën duhet të zhvillohet një debat i natyrshëm publik përpara një procesi zgjedhor. Media është gjithashtu një nga aktorët e rëndësishëm për të garantuar një proces zgjedhor sa më të lirë e të ndershëm. Të mbështeten gazetarët në misionin e tyre të përcjelljes të zërit të qytetarëve, si dhe të pasqyrimit në mënyrë të paanshme të të gjithë procesit dhe platformave të kandidatëve”, theksoi presidenti shqiptar.

Begaj më tej në fjalimin e tij shtoi se Organizimi i zgjedhjeve të drejta, të lira, të ndershme dhe përmbushja e vullnetit të qytetarëve janë pjesë e pandashme e aspiratës së Shqipërisë evropiane, çka synon forcimin e besimit në institucionet e vendit dhe hedhjen e hapave të sigurt drejt anëtarësimit në BE. 

Duke iu drejtuar qytetarëve, Begaj tha se, “zgjedhjet vendore ju japin mundësinë për të përmirësuar hapësirën e jetesës së përditshme, duke filluar nga rruga ku kaloni çdo ditë, lagjja ku rriten fëmijët tuaj, si dhe qyteti apo fshati ku ju banoni. Ndaj ju lutem, në këto zgjedhje, me efekte të menjëhershme në përditshmërinë tuaj, ushtroni vullnetin tuaj, të mirëinformuar dhe krejt të lirë. Çdo intimidim apo shantazh duhet të denoncohet e dënohet”.

“Ju ftoj të ushtroni të drejtën dhe pushtetin e votës suaj me gjithë forcën që i takon, duke përmbushur detyrimin tonë qytetar. Zgjedhjet nuk janë të partive politike, por janë për qytetarët shqiptarë, janë për Shqipërinë”, përfundoi Begaj. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR