BDI të merret me pastrimin e të korruptuarve në radhët e veta, dhe jo me të drejtat e shqiptarëve, porositi Bilall Kasami
- Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami me kërkesë të gazetarëve i komentoi deklaratat e Ali Ahmetit dhe Bujar Osmanit të BDI-së të cilët në paraqitjet e tyre theksojnë se janë rrezikuar të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Kasami theksoi se koalicioni i tyre VLEN i cili është pjesë e koalicionit qeveritar kujdeset për përfaqësimin dinjitoz të shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve në Maqedoni.
- Post By Arta Bunjaku
- 13:51, 4 mars, 2025

Tetovë, 4 mars 2025 (MIA) - Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami me kërkesë të gazetarëve i komentoi deklaratat e Ali Ahmetit dhe Bujar Osmanit të BDI-së të cilët në paraqitjet e tyre theksojnë se janë rrezikuar të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Kasami theksoi se koalicioni i tyre VLEN i cili është pjesë e koalicionit qeveritar kujdeset për përfaqësimin dinjitoz të shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve në Maqedoni.
Kasami e porositi Bujar Osmanin se nuk është ai që duhet të kujdeset për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, ndërkaq BDI-së i dërgoi porosi që të reformohet me kuadro të reja dhe atëherë të ofrojnë program të ri dhe të dalin në zgjedhjet lokale.
"Bujar Osmani duhet të jetë i kujdesshëm, të mos i ndodhë ajo që i ndodhi me tendencën dhe tentimin e kaluar për destabilizim të shtetit kur vendosën tenda para prokurorisë dhe kur Bujar Osmani me kokën ulur duhet të dilte nga ajo tendë dhe gjatë natës të hiqej ajo tendë. Gjithnjë derisa ka njerëz të cilët i gabuan ligjit, keqpërdorën funksionin publik, ndërkaq të cilët janë miq të afërt dhe bashkëpartiakë të Bujar Osmanit në BDI, ata nuk kanë kredibilitet nuk kanë të drejtë morale as juridike t'i parashtrojnë kurfarë kërkese qeverisë aktuale, ndërkaq duhet seriozihst të merren me pastrimin e korrupsionit dhe të korruptuarve në radhët e tyre", theksoi Kasami.
Në pyetjen e gazetarëve për të komentuar Ali Ahmetin i cili tha se po rrezikohet gjuha shqipe dhe se nuk do të lejonë zgjedhje lokale, Kasami gjithashtu theksoi se edhe lideri i BDI-së duhet të pastrojë me të kaluarën.
"Për anëtarët e familjes së tij, ka informata dhe indikacione se janë pasuruar kundërligjit, e kanë shfrytëzuar funksionin e tij në pushtet 20 vite në mënyrë që të pasusrohen kundërligjshëm. Do të thotë, ata duhet të spastrojnë me keqpërdorimin e pozitave që i patën 20 vite nga funksionarët e tyre, në mënyrë që më pas, të tregojnë tregime në pjesën e mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve", theksoi Kasami.
Ai deklaratat i dha pas brifingut të sotëm me gazetarët në Komunën e Tetovës. ab/
Foto: МIА