• e enjte, 04 dhjetor 2025

BDI: Qeveria po e shkelë përfaqësimin e drejtë në komuna me ulje të numrit të këshilltarëve

BDI: Qeveria po e shkelë përfaqësimin e drejtë në komuna me ulje të numrit të këshilltarëve

Shkup, 21 gusht 2025 (MIA) - Qeveria e shkelë përfaqësimin e drejtë në komuna me uljen e numrit ttë këshilltarëve, në kundërshtim me Ligjin dhe Kushtetutën, theksoi në konferencën e sotme për shtyp nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi.

"Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë për shkak të insistimit të Qeverisë ta zbatojë vendimin e sjellur në shtator 2024 për ulje të numrit të këshilltarëve komunal - vendim i cili është në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjin për vetëqeverisje lokale dhe vendimin e Gjykatës kushtetuese. Ky vendim, i dërguar Komisionit shtetëror zgjedhor, e shkelë nenin 34 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili qartë parasheh se numri i këshilltarëve në pdo komunë duhet të llogaritet vetëm në bazë të numrit të banorëve, pa dallim mes rezidentëve dhe jorezidentëve - standard i cili ka vlejtur çdoherë. Gjykata kushtetuese, me vendim nr. U.nr. 251/2024 nga 25 qershori 2025, e anuloi bazën juridike mbi të cilën bazohej ky vendim qeveritar, duke cekur qartë se qytetarët jorezidentë nuk mund të përjashtohen dhe se çdo tentim për atë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe të drejtën e përfaqësimit të barabartë. Edhe tentimi i fundit të sillet Ligj i ri për vetëqeverisje lokale, me të cilin do të legjitimohej ky vendim, dështoi për shkak të mungesës së shumicës së dyfishtë, duke e lënë plotësisht në fuqi ligjin ekzistues", tha Ademi.

Ai konsideron se Qeveria ka vepruar në kundërshtim me ligjin dhe vendimin e Gjykatës kushtetuese, vetëm, siç tha, që të mos e shfaqë realitetin se popullata shqiptare në vend është 29,5 për qind sipas rezultateve të regjistrimit të fundit të vitit 2021, por 24,3 për qind që, sipas tij, në mënyrë artificiale po tenton ta prezantojë.

BDI, shtoi Ademi, kërkon respektim të plotë të vendimit të Gjykatës kushtetuese dhe garantim të përfaqësimit të drejtë dhe proporcional të të gjitha komunave në bazë të të dhënave të sakta demografike.

"Komisioni shtetëror zgjedhor të sjellë vendim në bazë të Kushtetutës dhe ligjit, duke evituar çfarëdo lloj ndikimi politik. Sigurimi i zgjehdjeve të lira, demokratike dhe të pranueshme për të gjitha palët. Zbatim i nenit 50 të Kushtetutës, i cili garanton mbrojtje të lirive dhe të drejtave të qytetarëve. Respektim i nenit 51 të Kushtetutës, sipas të cilit ligjet duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën, ndërsa të gjitha aktet e tjera - me Kushtetutë dhe ligj, dhe secili është i obliguar t'i respektojë", tha Ademi.

Ai potencoi se BDI konsideron se tërheqja dhe korrigjimi i këtij vendimi është e domosdoshme për ruajtje të legjitimitetit të zgjedhjeve të ardhshme lokale dhe të mos lejohet përjashtimi i diasporës shqiptare nga proceset e vendim-marrjes.

Ademi duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve tha se konsideron se janë të domosdoshme zgjedhje të parakohshme parlamentare sepse, siç tha, institucionet nuk janë funksionale.

"Sistemi politik në shtet për të cilin jemi dakorduar duhet ta respektojmë. Kemi thënë se nuk duhet të sillemi në situata që bashkësitë joshumicë të majorizohen, të mbitheksohen, të ndahemi në linja etnike. Këtë e kemi thënë që prej fillimit. Për atë jemi dakorduar në vitin 2001 dhe kur dikush e shkelë atë, ne jemi të detyruar të themi para opinionit, në mënyrë të hapur dhe të sinqertë se nuk po shkojmë në drejtim të mirë, nuk do të kemi institucione funksionale. Do të ketë ashprësim të marrëdhënieve ndëretnike, kjo nuk na sjellë asnjë të mitë", tha Ademi.

Lidhur me ndryshimet e Kodit zgjedhor, ai deklaroi se për herë të parë ndodhë që ndonjë Qeveri të mos formojë grup të punës për adresim dhe inkorporim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-së në kod, për çka thotë se nevojitet konsensus, ndërkaq për çka, thotë, Qeveria aktuale nuk ka sens.

"Të gjitha partitë politike negociuan me muaj dhe është e rekomandueshme së paku gjashtë muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të miratohen ndryshimet dhe plotësimet në Kodin zgjedhor. Ndërkaq ne me cilën situatë përballemi, 5 deri 12 propozojnë zgjidhje e cila fare nuk është konsultuar. VMRO dhe LSDM së bashku janë ulur duke u udhëhequr nga interesat e tyre partiake dhe duke dashur t'i eliminojnë të pavarurit. Dhe në vend që të gjithë ne qytetarët të themi 'pritni njerëz, Gjykata kushtetuese tha se 1 për qind nuk bën, shkelen të drejtat e atyre që dëshirojnë të kandidojnë', këta në mënyrë plotësisht joserioz, pa kurfarë konsensusi, pa kurfarë konsultimi propozojnë 0,95 për qind për grumbullim të nënshkrimeve. Që prej fillimit kemi thënë nga përfundimi i zgjedhjeve, nga shpallja e raportit të OSBE/ODIHR-së 'ejani të ulemi dhe t'i adresojmë rekomandimet'. Nuk kishte reagim për këtë nga kjo Qeveri. Prandaj edhe jemi sjellë në këtë situatë", tha Ademi.

Ai konsideron se është mirë për demokracinë kandidimi i kandidatëve të pavarur në zgjedhjet lokale.

"Sa më shumë opsione, sa më shumë alternativa, zgjedhje aq më e madhe për qytetarët ta bëjnë dallimin. Është mirë që ka nisma për kandidim të disa opsioneve, të më shumë njerëzve, më shumë pjesëmarrës në zgjehdje. Dhe kjo është mirë për demokracinë", tha Ademi. ab/

Foto: МIА

QËNDRONI TË LIDHUR