• e hënë, 23 dhjetor 2024

BDI: Pagat në arsim do të rriten, procesi edukativo – arsimor të rifillojë të hënën

BDI: Pagat në arsim do të rriten, procesi edukativo – arsimor të rifillojë të hënën
Shkup, 16 prill 2022 Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka qëndruar gjatë gjithë këtyre viteve të qeverisjes në përkrahje të avancimit të pozitës së mësimdhënësve dhe edukatoreve duke realizuar rritjen e vazhdueshme të pagave në arsim që sipas kalkulimeve statistikore nga viti 2017 e deri më tani janë rritur për rreth 21 %. Të njëjtën politikë progresive jemi të vendosur ta ndjekim në vazhdimësi, prandaj duke përcjellë rrethanat e fundit të grevës së punonjësve të arsimit shprehim qartësisht qëndrimin se rritje të pagave në arsim do të ketë dhe zgjidhjen e duhur për këtë do ta gjejmë përmes dialogut. E drejta e grevës është e garantuar me ligj, por duke pasur parasysh rëndësinë e madhe që ka mbarëvajtja e pandërprerë dhe cilësore procesit edukativo – arsimor për ardhmërinë e fëmijëve, Bashkimi Demokratik për Integrim apelon për konstruktivitet nga ana e SASHK-ut për ndërprerje të grevës, rifillim të mësimdhënies nëpër shkollat e vendit duke filluar që nga dita e hënë dhe më pas vazhdim intensiv të dialogut përmes së cilit padyshim se do të gjendjet zgjidhja e duhur. Çdo prolongim i mëtejshëm i rrjedhës normale të mësimdhënies shkon në dëm të nxënësve dhe ardhmërisë së tyre në rrugën e dijes, rrezikohet matura shtetërore si dhe dhënia e provimit profesional për pesëqind mësues, gjë të cilën nuk duhet ta lejojmë pas gjithë atyre sfidave që bashkërisht i tejkaluam me sukses në periudhën e pandemisë. BDI shpreh shqetësim për tentativat për rrëmbimin e protestës nga ana e partive politike opozitare dhe nxitjen e papërgjegjshme të krizës të cilën e ndjejnë të gjithë qytetarët. Si subjekt politik pjesë e Qeverisë, BDI garanton angazhim maksimal për realizimin e mëtejshëm të politikave të përmirësimit të standardit ekonomik të të gjithë qytetarëve me të njejtën qasje ashtu siç u rritën paga minimale dhe ajo mesatare. Bashkimi Demokratik për Integrim __________________________________________________________________________ MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre e as për gabimet eventuale drejtshkrimore ose të shtypit

QËNDRONI TË LIDHUR