• e hënë, 23 dhjetor 2024

BDI mban Këshillin e përgjithshëm, Ahmeti përsëri thotë se nuk respektohet legjitimiteti i votuesve shqiptarë

BDI mban Këshillin e përgjithshëm, Ahmeti përsëri thotë se nuk respektohet legjitimiteti i votuesve shqiptarë

Tetovë, 30 qershor 2024 (MIA) - Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sot në Tetovë mbajti mbledhje të Këshillit të përgjithshëm të thirrur nga kryetari i partisë Ali Ahmeti. Zhvillimet aktuale politike në vend kanë qenë temë e Këshillit për të cilën paraqitje pati Ahmeti.

Lideri i BDI-së përsëriti akuzat ndaj VMRO-DPMNE-së dhe kryetarit të saj Hristian Mickoski se nuk e kanë respektuar legjitimitetin e votuesve shqiptarë.

"Qëndrimin e VMRO-së nuk e kontestojmë, legjitimitetin e tyre. Ne kontestojmë dhe do të demonstrojmë pakënaqësinë dhe revoltën tonë lidhur me vendimin e tyre të padrejtë në drejtim të mospërfilljes së legjitimitetit nga ana e BDI-së dhe Frontit Evropian. Kjo Qeveri nuk ka legjitimitet, nuk ka legjitimitet etnik. Ne do të bëjmë punën tonë për t'i shpjeguar opinionit maqedonas dhe shqiptar se ky vend ka të ardhme dhe perspektivë vetëm duke respektuar votën e lirë, legjitimitetin dhe ne kemi fituar këto zgjedhje", ka thënë Ahmeti.

Sipas Ahmetit, vendimet e Mickoskit nuk ishin të drejta dhe tha se shteti nuk ka politika të qëndrueshme me fqinjët, si me grekët ashtu edhe me bullgarët.

“Ne kemi qenë shumë të hapur dhe të sinqertë, ndryshim i Kushtetutës është i domosdoshëm, sepse të gjithë qytetarët përfitojnë në drejtim të përshpejtimit të rrugës sonë drejt BE-së. Çdo ngecje në këtë drejtim do të ketë çmim shumë të lartë, siç e kemi paguar atë çmim me palën greke, mund të paguajmë çmim shumë të lartë edhe me palën bullgare. Por këtu çmimi mund të jetë edhe më i lartë, krahasuar me atë të palës greke. Numri i qytetarëve me shtetësi bullgare rritet çdo ditë. Ka mundësi që pakoja e anëtarësimit në BE, nëse nuk ndërmarrim hapat e nevojshëm, ajo pako të ndryshojë, që Shqipëria të hapë negociatat për anëtarësim në BE dhe ne të qëndrojmë prapa dhe Shqipëria të bëhet anëtare…Prandaj këto kalkulime duhet të mendohen gjatë para se të flitet dhe të veprohet", ka thënë Ahmeti.

Nga BDI thonë se pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të përgjithshëm, konkluzionet përmes një komunikate do t’i shpërndajnë me mediat.

foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR