• e mërkurë, 18 dhjetor 2024

BDI: E respektojmë vendimin e Departamentit amerikan të shtetit

BDI: E respektojmë vendimin e Departamentit amerikan të shtetit

Shkup, 10 dhjetor 2024 (MIA)- Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) respekton vendimin e Departamentit amerikan të shtetit. Kështu thuhet në një komunikatë të shkurtër të lëshuar nga BDI, ndërsa theksohet se “mbeten të përkushtuar ndaj bashkëpunimit strategjik me SHBA-në”.

“Bashkimi Demokratik për Integrim respekton vendimin e Departamentit amerikan të shtetit. Si parti, mbetemi të përkushtuar ndaj bashkëpunimit strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe ndaj forcimit të vlerave demokratike dhe transparencës”, thuhet në komunikatën e BDI-së.

Ish zëvendëskryeministri Artan Grubi mbrëmë është deklaruar në rrjetet sociale pasi emri i tij është parë të jetë përfshirë në Listën e zezë amerikane. Grubi ka thënë se ky informacion të cilin e mori nga mediat e prek drejtpërdrejt dhe personalisht.

“Në mungesë të informacionit të detajuar u njoha nga mediat për vendimin e sotëm të Departamentit të shtetit. Si një person që jetën time publike ia kam kushtuar mbrojtjes së vlerave demokratike perëndimore dhe që gjithmonë kam punuar me përkushtim për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian, ky vendim më prek drejtpërdrejt dhe personalisht. Do të angazhohem me gjithë përkushtimin dhe maksimalisht, së bashku me miqtë dhe partnerët tanë, me të cilët kemi ndarë vizionin dhe punuar ndër vite për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, për të zbardhur plotësisht këtë çështje. Transparenca dhe përkushtimi ndaj vlerave demokratike do të vazhdojnë të jenë shtylla kryesore e çdo veprimi tim”, shkroi Grubi.

Ndërhyrje politike në gjyqësor nuk do të tolerohet, shkroi në statusin e saj zyrtar ambasadorja e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Anxhela Ageler, pas informacionit se ish zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi dhe gjykatësi Enver Bexheti janë dy emrat e rinj në listën e zezë të Departamentit të shtetit.

"Vendosja e emrave të Artan Grubit dhe Enver Bexhetit është dëshmi se ndërhyrjet politike në drejtësi nuk munden dhe nuk do të tolerohen. SHBA do të vazhdojë të vendos në listë ata që përfshihen në korrupsion të konsiderueshëm e që minojnë institucionet demokratike. Askush nuk është mbi ligjin dhe përgjegjësia është thelbësore për progresin", thekson ambasadorja Ageler.

Nga VMRO-DPMNE vlerësuan se futja e Grubit në listën e zezë të SHBA-së, së bashku me gjykatësin Enver Bexheti, dëshmoi partizimin e shtetit nga BDI.

"Enver Bexheti, gjykatësi që e mbajti rastin e Mijallkovit në sirtar, dëshmon partizimin e gjyqësorit. Gjykatësit e mbështetur nga Artan Grubi dhe BDI-ja dalëngadalë po përfundojnë në listën e zezë të SHBA-së, bashkë me anëtarët e BDI-së", thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Vendimin e Departamentit të shtetit e kanë përshëndetur edhe nga LSDM duke shprehur pritshmëritë që të gjitha dyshimet për korrupsion të hetohen dhe sanksionohen pa kompromis nga autoritetet gjyqësore në vend.

Edhe nga Aleanca për Shqiptarëte e kanë përshëndetur vendimin e fundit të SHBA-së. Ziadin Sela i cili është në koalicion me BDI-në, e përshëndeti vendimin e Departamentit të shtetit për vendosjen e ish zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi dhe gjykatësit Enver Bexheti në listën e zezë të SHBA-së, ju bëri thirrje që të tërhiqen nga jeta institucionale dhe politike dhe të përballen me akuzat. 

"Aleanca për Shqiptarët në vazhdimësi ka qenë një prej aktorëve politik që ka dënuar dhe denoncuar publikisht lidhjet e gjyqësorit me politikën dhe oligarkinë andaj edhe përshëndesim vendimin e fundit të SHBA-së, partnerit më të rëndësishëm strategjik të RMV dhe popullit shqiptar. Lufta kundër korrupsionit shënon një hap të rëndsishëm në sendërtimin e shtetit të së drejtës dhe ardhmërisë sonë. Ftojmë të apostrofuarit, të tërhiqën nga jeta institucionale dhe politike dhe si qytetarë të lirë të përballen me akuzat", bën të ditur Sela në Fejsbuk.

Departamenti amerikan i shtetit dje bëri të ditur se vendos sanksione ndaj ish zëvendëskryetarit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi dhe gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion të konsiderueshëm. 

Sipas komunikatës, Grubi dhe Bexheti kanë pranuar ryshfet për të minuar procedurën gjyqësore lidhur me dënimin penal të Sasho Mijallkovit, ish drejtor i Drejtorisë për zbulim dhe kundërzbulim (DZK). Mijallkovi u sanksionua në vitin 2022 për korrupsion të konsiderueshëm sipas nenit 7031(c) të Ligjit për operacione të jashtme dhe programe të ndërlidhura të Departamentit të shtetit.

Krahas sanksioneve për Grubin dhe Bexhetin, ndalesë për hyrje në SHBA janë vendosur edhe për familjarët e tyre.

Ndryshe, këto masa janë pjesë e nismës globale për luftë kundër korrupsionit dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut e cila zbatohet me rastin e Ditës ndërkombëtare kundër korrupsionit dhe Ditës së të drejtave të njeriut.

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR