• e hënë, 23 dhjetor 2024

Lidhja Evropiane për Ndryshim: BDI në koordinim me partitë maqedonase godet qytetet kryesore shqiptare

Lidhja Evropiane për Ndryshim: BDI në koordinim me partitë maqedonase godet qytetet kryesore shqiptare

Shkup, 12 dhjetor 2023 (MIA) - Deputeti i Lëvizjes Besa dhe pjesë e koalicionit opozitar shqiptar Bashkimi Evropian për Ndryshim, Fadil Zendeli në konferencën e sotme  për shtyp ka akuzuar se dje deputetët e BDI-së në bashkëpunim me deputetët e LSDM-së, VMRO-DPMNE-së, Aleancës për Shqiptarët dhe E Majta kanë ndarë rreth një miliard denarë, pothuajse për të gjitha komunat, kryesisht për ato të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, por votuan kundër ndarjes së projekteve në dy qytetet kryesore të shqiptarëve, në Komunën e Tetovës dhe në Komunën e Çairit.

"E keqja e BDI-së nuk ka fund. Vetëm që të qëndrojnë në pushtet, ata janë të gatshëm t'i lënë vendbanimet ku jetojnë shqiptarët, të pazhvilluara dhe ende më shumë të varfërohen, t'i bllokojnë të gjitha investimet e mundshme dhe t' dërgojnë të gjitha paratë e buxhetit në komunat e tjera vetëm për t'u hakmarrë ndaj opozitës shqiptare. Imagjinoni, BDI dhe partitë e tjera shqiptare në pushtet, vazalë të LSDM-së,  bllokuan 15 milionë denarë për Komunën e Tetovës, për realizimin e Projektit që parasheh vendosjen e rrethojave mbrojtëse në lumin Shkumbim. Deputetët shqiptarë të Qeverisë, si vartës të LSDM-së, nuk e kanë përkrahur projektin e Komunës së Çairit, në vlerë prej 12 milionë e 700 mijë denarë, me të cilin parashihet rindërtimi i rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit atmosferik dhe fekal në lagjen Dizhon në Çair", tha Zendeli.

Që mendimi të jetë më i qartë, tha Zendeli, rreth një miliard denarë që kanë ngelur në buxhet si të parealizuara, të cilat u janë ndarë komunave, sipas numrit të popullsisë, Komuna e Tetovës dhe Komuna e Çairit duhet të marrin rreth 1.5 milionë euro, megjithëse për dy projektet e mësipërme këto komuna kërkuan shumë më pak para, rreth 450 mijë euro, deputetët e BDI-së dhe partnerët e tyre në qeveri i refuzuan këto projekte vetëm për shkak se, siç theksoi ai, këto komuna menaxhohen nga kuadro nga opozita shqiptare.

"Imagjinoni, derisa qeveria i ndan fondet e mbetura buxhetore për të gjitha komunat në shtet, BDI-ja i bllokon pojektet në dy komunat e rëndësishme për shqiptarët, në Çair nga është zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi dhe në Tetovë nga është ministri i Financave Fatmir Besimi. Kjo është fytyra e vërtetë e BDI-së, e cila është e gatshme të bëjë të gjitha investimet në komunat ku nuk ka shqiptarë, madje të bashkëpunojë me ato që vazhdimisht i quan e keqja e shtetit, vetëm për të qëndruar në pushtet. Por zgjedhjet do të vijnë së shpejti, e me çfarë personazhi do të dalin BDI, Artan Grubi, Fatmir Besimi e të tjerët dhe do t'i kërkojnë votat e shqiptarëve në Tetovë dhe Çair", tha Zendeli. qa/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR