• e hënë, 23 dhjetor 2024

Barns: Armëpushimi është i domosdoshëm për të ndihmuar fëmijët e uritur në Gaza

Barns: Armëpushimi është i domosdoshëm për të ndihmuar fëmijët e uritur në Gaza

Uashington, 12 mars 2024 (MIA) - Drejtori i Agjencisë Amerikane të Inteligjencës (CIA), Uilliam Barns, deklaroi se është i domosdoshëm armëpushimi për të ndihmuar fëmijët e uritur në Gaza.

Në seancën e rregullt vjetore të Senatit për kërcënimet përreth botës, Barns tha se arritja e marrëveshjes për armëpushim dhe pengjet në Gaza është e rëndësishme për zgjidhjen e krizës së madhe humanitare në enklavë, shkruan Politiko.

"Realiteti është se ka fëmijë që po vdesin nga uria. Ata janë të kequshqyer sepse ndihma humanitare nuk mund të arrijë te ata. Është shumë e vështirë të shpërndash në mënyrë efektive ndihma humanitare nëse nuk ka armëpushim", tha Barns.

Sipas Politiko-s, deklarata e Barns është më e fuqishmja e dhënë ndonjëherë nga një zyrtar i inteligjencës dhe vjen në një kohë kur administrata e Bajdenit është nën presion të rritur për të detyruar Izraelin të lejojë më shumë ndihmë për Gazën.

Para dorëzimit të raportit, Barns ishte në Lindjen e Mesme, ku thuhet se po përpiqej të negocionte një armëpushim. Ai shtoi se palët po përpiqeshin të arrinin një marrëveshje për një armëpushim gjashtë javor në Gaza që do të lejonte lirimin e 40 pengjeve, si dhe të burgosurve palestinezë të mbajtur në Izrael.

I pyetur nga senatori Tom Koton nëse ai besonte se Izraeli po "shfaroste popullin palestinez", Barns tha se e kuptonte "nevojën e Izraelit për t'iu përgjigjur" sulmit të Hamasit.

"Por unë mendoj se ne të gjithë duhet të kemi parasysh edhe sakrificën e madhe të civilëve të pafajshëm në Gaza", tha drejtori i CIA-s.

Para Barnsit, raporti u prezantua nga drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare Avril Hejns dhe drejtori i FBI-së Kris Vrej. Në seancë, zyrtarët e komunitetit të inteligjencës i kërkuan Kongresit të miratojë fonde shtesë për Ukrainën dhe ngritën akuza se Kina, Rusia dhe Irani po përdorin inteligjencën artificiale për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR