• e hënë, 23 dhjetor 2024

Banka Botërore: Rritja ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor në vitin 2025 parashikohet të përshpejtohet me ritëm të moderuar

Banka Botërore: Rritja ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor në vitin 2025 parashikohet të përshpejtohet me ritëm të moderuar

Shkup, 17 tetor 2024 (MIA) - Rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor parashikohet të përshpejtohet me ritëm të moderuar gjatë vitit 2025, e nxitur kryesisht nga rritja e konsumit dhe investimeve, të mbështetura nga rritja e fuqisë blerëse, thuhet në Raportin e Rregullt Ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.  

Banka Botërore parashikon që norma e rritjes për gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, do të arrijë në 3.7% në vitin 2025, që përbën një rishikim me 0.2 pikë përqindje më të lartë se sa vlera e parashikuar në edicionin e pranverës të këtij raporti. Rritja për vitin 2024 pritet të arrijë në 3.3%, ose 0.1 pikë përqindje më e lartë se sa vlerësimi në raportin e mëparshëm. 

"Faktorët e brendshëm vijojnë të mbështesin një përshpejtim më ritëm të moderuar të rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Përveç kësaj, në periudhë afatmesme, rimëkëmbja graduale e aktivitetit ekonomik në Bashkimin Evropian pritet të luajë rol vendimtar në forcimin e eksporteve të rajonit", u shpreh Izolina Rosi, ekonomiste në Bankën Botërore dhe autore kryesore e raportit.  

Pavarësisht perspektivës pozitive, rajoni vijon të mbetet i ekspozuar ndaj një sërë rreziqesh, si rritja e ngadaltë ekonomike në nivel global, kthimi i inflacionit sërish në nivele të larta, pasiguritë politike dhe ngjarjet ekstreme të motit. 

Thekson se me forcimin e rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor, standardet e jetesës në rajon po vijojnë të konvergojnë gradualisht me ato të ekonomive më të përparuara të Bashkimit Evropian.  Megjithatë, ruajtja e vrullit të rritjes dhe përshpejtimi i ritmit të konvergjencës kërkon reforma strukturore, përfshirë ato të përshkruara në Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian. 

"Integrimi ekonomik është një shtytës kryesor i rritjes për ekonomitë e vogla si ato në Ballkanin Perëndimor," tha Shiaoçing Ju, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.  

Për të mbështetur këtë rritje ekonomike, vendet e rajonit duhet të forcojnë tregtinë rajonale dhe me Bashkimin Evropian, të reduktojnë kohën e pritjes në kufi dhe të integrojnë sistemet e pagesave. Gjithashtu, adresimi i sfidave demografike dhe të tregut të punës kërkon një fokus të fortë në zhvillimin e kapitalit njerëzor. Përmirësimi i sistemeve arsimore dhe shëndetësore është thelbësor për të avancuar nga statusi i ekonomive me të ardhura të mesme në ekonomi me të ardhura të larta. 

 Duke qenë se pothuajse një në katër individë nga Ballkani Perëndimor aktualisht jetojnë jashtë vendit, menaxhimi më i mirë në nivel global i fuqisë punëtore nga Ballkani Perëndimor mund të jetë një shtytës kryesor për zhvillimin ekonomik në rajon. Ndonëse emigracioni mund të sjellë sfida, si mungesa e fuqisë punëtore në vend, ai gjithashtu mund të krijojë mundësi të qarta lidhur me përdorimin e emigracionit për përfitime ekonomike.

Sipas raportit, nëse menaxhohet në mënyrë efektive, migracioni mund të ndikojë pozitivisht në zbutjen e varfërisë, nxitjen e eksporteve dhe thithjen e investimeve, duke rezultuar në këtë mënyrë në krijimin e vendeve të punës dhe transferimin e njohurive. Për shembull, remitancat mund të përmirësojnë burimet financiare për familjet e emigrantëve. Përveç kësaj, kthimi i emigrantëve të kualifikuar mund të sjellë një “kthim të trurit' në vendet e tyre të origjinës, ndërsa joshja nga paga më të larta jashtë vendit mund të motivojë arsimimin dhe rritjen e aftësive për ata që vendosin të qëndrojnë. 

 Me qëllim maksimizimin e përfitimeve nga migracioni, raporti rekomandon disa masa të politikave për Ballkanin Perëndimor, si zhvillimi i programeve të trajnimit dhe mobilitetit të aftësive në partneritet me vendet pritëse të emigrantëve dhe zgjerimi i marrëveshjeve dypalëshe për sigurimet shoqërore.

Në raport rekomandohet edhe përmirësimi i masave për mbrojtjen e emigrantëve gjatë gjithë fazave të migrimit me qëllim zbutjen e rreziqeve me të cilat ata mund të përballen dhe për të nxitur kthimin e tyre në vend, Lehtësimi i procedurave për pjesëtarët e diasporës për transferimin e kapitalit, ekspertizës dhe teknologjive të avancuara, përdorimi i mjeteve digjitale dhe përmirësimi i mbledhjes së të dhënave për qëllime të një menaxhimi sa më efektiv të emigracionit dhe politikëbërjes. 

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR