• e diel, 22 dhjetor 2024

Bajer: Zgjerimi i BE-së duhet të bazohet në kriteret e Kopenhagës dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve

Bajer: Zgjerimi i BE-së duhet të bazohet në kriteret e Kopenhagës dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve

Bruksel, 19 mars 2024 (MIA) - Politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian është definuar që në vitin 1997 dhe gjatë këtij procesi nuk pranojmë devijime nga kushtet e përcaktuara me kriteret e Kopenhagës, deklaroi kandidati kryesor i grupit E Majta për zgjedhjet e ardhshme për anëtarë të Parlamentit Evropian, Valter Bajer në një intervistë për Agjencinë evropiane të lajmeve (ENR), pjesë e së cilës është edhe MIA.

“Kjo nënkupton respektim të të drejtave të njeriut, respektim të sundimit të ligjit. Unë do të shtoja edhe respektimin për të drejtat sindikale dhe të punës”, shprehet Bajer mbi qëndrimin e Të Majtës në lidhje me zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ai thekson se Partia e së Majtës evropiane është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha forcat e majta nga vendet e Ballkanit Perëndimor të cilat sipas tij mund të luajnë rol konstruktiv në përmbushjen e kushteve të vendosura me kriteret e Kopenhagës.

Siç bën të ditur korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, Bajer paralajmëron gjithashtu se E Majta nuk do ta mbështesë rizgjedhjen e Ursula fon der Lajenit në krye të Komisionit Evropian, siç nuk e përkrahën ate gjatë zgjedhjes në këtë funksion në vitin 2019.

“Do ta përjashtoja mundësinë se ajo të marrë mbështetje nga grupi E Majta në Parlamentin Evropian. Ne mbrojmë vlerat dhe strategjitë që kemi theksuar në Manifestin tonë, ndërsa unë nuk shoh se z.Fon der Lajen është personi i duhur për t'i zbatuar ato”, ka thënë Bajer.

Megjithatë, sipas tij kjo nuk do të thotë se Fon der Lajen nuk do të rizgjidhet në këtë post, duke pasur parasysh se pritet që Partia e saj konservatore popullore evropiane (PPE) të jetë grupi më i madh në Parlamentin Evropian dhe me gjasë do të tentojë të sigurojë mbështetje nga forcat tjera politike për shumicë absolute për zgjedhjen e saj.

“Druaj se nuk do të ketë pengesa mes konservatorëve dhe së djathtës ekstreme që ajo të sigurojë mbështetjen e këtyre partive”, thotë Bajer i cili vjen nga radhët e Partisë komuniste të Austrisë.

Sipas tij, lufta kundër ekstremit të djathtë paraqet “detyrim moral dhe kulturor”, ndaj dhe nuk mund të ketë kompromise me urrejtjen, antisemitizmin dhe retorikën antiemigrante.

“Lufta kundër të djathtës ekstreme kërkon politikë të fuqishme sociale, respektim të interesave

sociale të klasës punëtore dhe çlirimin e brezit të ri nga frika e pasigurisë”, thekson Bajer.

Foto: ENR

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR