Bajdeni shpreson për një marrëveshje të re armëpushimi në Gaza: Jemi afër
- Presidenti amerikan Xho Bajden shprehu mbrëmë optimizëm se së shpejti do të arrihet armëpushim i ri ndërmjet Izraelit dhe grupit palestinez Hamas në luftën në Gaza.
- Post By Sara Ademi
- 08:02, 27 shkurt, 2024
Uashington, 27 shkurt 2024 (MIA) - Presidenti amerikan Xho Bajden shprehu mbrëmë optimizëm se së shpejti do të arrihet armëpushim i ri ndërmjet Izraelit dhe grupit palestinez Hamas në luftën në Gaza.
"Këshilltari im për siguri kombëtare më tha se jemi afër", tha Bajden. "Ende nuk jemi gati. Shpresoj se do të kemi armëpushim deri të hënën e ardhshme", shtoi ai.
Katari, Egjipti dhe SHBA me javë të tëra bëjnë përpjekje të ndërmjetësojnë për një armëpushim të ri ndërmjet Hamasit dhe Izraelit në Gaza, marrëveshje që duhet ta lehtësojë lirimin e pengjeve izraelite të cilët ende mbahen në rripin bregdetar.
Megjithatë, është e pasigurt nëse ndërmjetësuesit ndërkombëtar do të mund të bien dakord për një armëpushim deri më 10 mars, kur fillon muaji i shenjtë i Ramazanit.
Mediat kishin raportuar më parë se negociatat e vështira nuk po përparonin. Stacionet televizive izraelite Kanal 12 dhe Kan cituan zyrtarë se korniza negociuese e propozuar nga ndërmjetësuesit nuk ishte ende në përputhje me kërkesat e Hamasit.
Hamasi akuzoi Izraelin për bllokimin e negociatave. sa/
foto: Arkivi i MIA-s