• e premte, 05 korrik 2024

Bajdeni dhe Zelenski biseduan për trajnimin e pilotëve ukrainas të aeroplanëve F-16, fillon në tetor

Bajdeni dhe Zelenski biseduan për trajnimin e pilotëve ukrainas të aeroplanëve F-16, fillon në tetor

Uashington, 25 gusht 2023 (MIA) - Në tetor, SHBA do të fillojë trajnimin për pilotët ukrainas të aeroplanëve luftarakë F-16, njofton Pentagoni.

Gjenerali i brigadës dhe zëdhënësi i Pentagonit Pet Rajder, deklaroi se trajnimi do të fillojë pasi pilotët ukrainas të përfundojnë kurs të gjuhës angleze në shtator i cili do të mbahet në Arizona, transmetojnë mediat britanike.

Për fillimin e trajnimit për pilotët ukrainas me avionë luftarakë F-16 mbrëmë kanë biseduar presidenti i SHBA-së Xho Bajden dhe homologu i tij ukrainas Volodimir Zelenski, njofton Shtëpia e Bardhë, transmetojnë mediat britanike.

Bajdeni dhe Zelenski kanë biseduar gjithashtu edhe për miratimin e përshpejtuar nga vendet e tjera për transferimin e aeroplanëve të tyre luftarakë F-16 në Ukrainë, shton Shtëpia e Bardhë.

Në fund të javës së kaluar, Danimarka dhe Holanda premtuan se do t'i dhurojnë aeroplanë F-16 Ukrainës dhe sot të njëjtën gjë bëri edhe kryeministri norvegjez Jonas Gar Store.

Danimarka ka filluar trajnimin e tetë pilotëve ukrainas me F-16.

Ukraina u ka bërë vazhdimisht thirrje aleatëve të saj perëndimorë që të dorëzojnë aeroplanët F-16, për të cilët presidenti ukrainas Volodimir Zelenski tha se do të sinjalizonte se invazioni rus do të përfundonte me disfatë.

Më herët, një zyrtar anonim amerikan deklaroi se SHBA-ja kishte miratuar dërgimin e aeroplanëve luftarakë F-16 në Ukrainë nga Danimarka dhe Holanda sapo të përfundojë trajnimi i pilotëve.

Aeroplanët F-16 janë të pajisur me një top 20 mm dhe mund të mbajnë bomba, raketa dhe pajisje të tjera. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR