• e diel, 22 dhjetor 2024

Bajden: Do të udhëtoj në Havai sa më shpejt të jetë e mundur

Bajden: Do të udhëtoj në Havai sa më shpejt të jetë e mundur

Uashington, 16 gusht 2023 (MIA) - Presidenti amerikan Xho Bajden ka thënë se do të udhëtojë në Havai "sa më shpejt të jetë e mundur" pas kritikave për reagimin e tij ndaj zjarreve vdekjeprurëse pyjore në ishull që kanë vrarë më shumë se 100 njerëz, raporton sot Bi-Bi-Si.

Duke folur në Milvoki dje, Bajden tha se dëshiron të sigurohet që njerëzit në shtet të kenë "gjithçka që u nevojitet".

Numri i të vdekurve nga zjarret tani është 101, ndërsa rreth 1300 persona janë të zhdukur. Banorët e Havait janë ankuar për shpejtësinë e reagimit të qeverisë federale ndaj katastrofës.

Presidenti tha dje se ai nuk e kishte vizituar ende Havain nga shqetësimi se do të largonte burimet dhe vëmendjen nga reagimi humanitar. Xhill Bajden do ta shoqërojë atë në Havai, shtoi ai.

"Nuk dua të shqetësoj. Kam qenë në shumë zona të fatkeqësive. Dua të sigurohem që të mos pengojmë përpjekjet e vazhdueshme të rimëkëmbjes. Më shumë se 500 personel federal të urgjencës janë dërguar deri më tani për të ndihmuar me përpjekjet e ndihmës, duke përfshirë 150 specialistë të kërkimit dhe shpëtimit", tha Bajden.

Ka kritika se sirenat nuk kanë rënë në fillim të zjarrit dhe ka ankesa se mund të jetë urdhëruar shumë vonë evakuimi. sa/

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR