• e diel, 22 dhjetor 2024

Bajden dhe zonja e parë e SHBA-së i përshëndetën myslimanët për muajin e shenjtë të Ramazanit

Bajden dhe zonja e parë e SHBA-së i përshëndetën myslimanët për muajin e shenjtë të Ramazanit

Uashington, 23 mars 2023 (MIA) - Presidenti i SHBA-së Xho Bajden dhe zonja e Parë Xhill Bajden kanë përshëndetur myslimanët në mbarë botën për fillimin e Ramazanit, "muajit të shenjtë të agjërimit, ringjalljes, bamirësisë, adhurimit dhe zhvillimit".

"Shtetet e Bashkuara të Amerikës rikonfirmojnë mbështetjen për komunitetet myslimane që përballen me vështirësi dhe shkatërrim. Ne vazhdojmë të qëndrojmë me popullin e Turqisë dhe Sirisë, të cilët humbën shumë njerëz të dashur gjatë tërmeteve shkatërruese të fundit, dhe me popullin e Pakistanit, i cili po rindërton jetën e tyre pas përmbytjeve të kësaj vere", thuhet në kumtesën e Shtëpisë së Bardhë.

Në deklaratë gjithashtu nënvizohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tyre qëndrojnë në solidaritet me myslimanët që përballen me represion të vazhdueshëm, si ujgurët në Kinë dhe rohinxhët në Mjanmar.

"Në këtë muaj të shenjtë ne respektojmë edhe komunitetin mysliman në vendin tonë, i cili ka qenë pjesë e historisë amerikane që në fillimet e saj”, shtuan familja Bajden. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR