Bahtiri: Ura në Ibër të Mitrovicës së Veriut do të hapet pas 5 shkurtit
- – Ish kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, deklaroi se ura në lumin Ibër, e cila i ndan pjesët veriore dhe jugore të qytetit, do të hapet pas përfundimit të procesit zgjedhor në Kosovë, pas 5 shkurtit.
- Post By Fitore Curri
- 07:42, 16 tetor, 2024
Prishtinë, 16 tetor 2024 (MIA) – Ish kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, deklaroi se ura në lumin Ibër, e cila i ndan pjesët veriore dhe jugore të qytetit, do të hapet pas përfundimit të procesit zgjedhor në Kosovë, pas 5 shkurtit.
“Pasi që të kryhet procesi zgjedhor, pas 5 shkurtit ura do të hapet”, deklaroi Bahtiri dhe shtoi se i gjithë operacioni do të realizohet në bashkëpunim me KFOR-in dhe të gjitha institucionet.
“Situata po përmirësohet, është normale, dhe nuk ka asnjë problem, ju mundeni ta vizitoni pjesën e veriut në mënyrë normale sikur në jug”, ka shtuar Bahtiri.
Kossev shkruan se gjatë disa muajve të kaluar përsëri u bë aktuale tema për hapjen e urës së Ibrit pas 25 viteve.
Këtë e kundërshton shumica e popullatës serbe, por edhe vendet perëndimore të cilat për momentin i bëjnë thirrje Prishtinës për koordinim.
Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës, edhe pse bën të ditur se koordinohet me partnerët ndërkombëtarë, kundërshton thirrjet që të bisedohet për këtë çështje në Bruksel.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë disa muajve të kaluar tha se “nuk do t’i befasojë partnerët e tij evropianë dhe amerikanë” dhe se me ata do të punojë në planin e hapjes së urës, por se nuk do të lejojë që çështja “të zgjatet pafundësisht”.
Pas paralajmërimeve për hapjen e urës, KFOR-i në disa raste realizonte trajnime periodike pikërisht në këtë urë. fc/
Fotografia: Arkivi i MIA-s