• e hënë, 23 dhjetor 2024

Baçovski: Le të krijojmë shprehi të shëndetshme që në moshë të re dhe t'i mësojmë fëmijët se ajo që hanë prodhohet në shtëpi

Baçovski: Le të krijojmë shprehi të shëndetshme që në moshë të re dhe t'i mësojmë fëmijët se ajo që hanë prodhohet në shtëpi

Shkup, 24 korrik 2023 (MIA) - Të krijojmë shprehi të shëndetshme që nga mosha e hershme dhe t'i mësojmë fëmijët se në vend mund të prodhohen fruta cilësore, është një nga prioritetet tona, tha sot drejtori i Agjencisë së pagesave, Nikica Baçovski.

Baçovski së bashku me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski dhe kryetarin e komunës Karposht, Stevço Jakimovski, mëngjesin e sotëm e vizituan kopshtin "Orce Nikollov" në Shkup. Baçovski, Nikollovski dhe Jakimovski fillimisht fëmijëve u dhanë pjeshkë për shujtë, ndërsa më pas, së bashku me ta morën pjesën në punëtoritë kreative në të cilat përgatiten produkte të ndryshme nga frutat.

Vizita e kopshtit ishte pjesë e fushatës "Shujtë e shëndetshme për çdo fëmijë” që nisi javën e kaluar.

"Fushata nisi javën e kaluar me me dorëzimin e kajsive në kopshte. Kjo është java e dytë, ne vazhdojmë të shpërndajmë fruta për çdo fëmijë. Këtë javë do të shpërndahet pjeshkë, ndërsa në javët në vijim do të vazhdojmë me kumbulla, dardhë dhe mollë. Bëhet fjalë për fryta të Maqedonisë të klasit të parë, të blera nga prodhues vendas dhe të kontrolluara rreptësisht nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë", theksoi Baçovski.

Sipas tij, plani është që të blihen më shumë se 880 mijë kilogramë fruta, të cilat do t'u shpërndahen të gjithë fëmijëve në kopshte.

"Fushata është pjesë e Programit që ka filluar vitin e kaluar me qëllim të krijimit të shprehive të shëndetshme që në moshë të re, ndërsa u mbuluan të gjitha shkollat ​​fillore. Janë shpërndarë mollët vendase, kryesisht nga Prespa. Këtë vit vendosëm të shkojmë në kopshte dhe të shpërndajmë lloje të ndryshme të frutave. Fëmijët duhet ta dinë se ne mund të prodhojmë fruta të shijshme dhe se ajo që hanë vjen nga vendi i tyre", thekson Baçovski.

Programi vitin e kaluar ishte projektuar në 20 milionë denarë, ndërsa këtë vit mjetet janë dyfishuar dhe arrijnë në gjithsej 40 milionë denarë. ls/

 

QËNDRONI TË LIDHUR