• e mërkurë, 22 janar 2025

Azeski: Detet janë përcaktuesit që do të caktojnë sferat e reja të interesit në botë

Azeski: Detet janë përcaktuesit që do të caktojnë sferat e reja të interesit në botë

Shkup, 21 janar 2025 (MIA) - Detet janë përcaktuesit që do të caktojnë sferat e reja të interesit në botë, ndërsa interesi i ri përfundimisht do të quhet biznes sepse të gjithë do ta kuptojnë se pa biznes nuk ka asgjë dhe se kjo është i vetmi ind lidhës në këtë botë, porositi kryetari i Odës Ekonomike Branko Azeski në panel diskutimin për prezantimin e nismave "Tre detet", mundësitë për bashkëpunim ekonomik ndërmjet anëtarëve të saj dhe kontributi në zhvillimin e tyre ekonomik, me theks të veçantë në infrastrukturë dhe përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe forcimin e boshtit veri-jug në Evropën lindore.

Në panel diskutimin, në organizim të Odës ekonomike si dhe në bashkëpunim me Institutin për Nisma dhe Politika Strategjike, ishte theksuar se integrimi i Ballkanit Perëndimor në këtë nismë do të kontribuojë për lidhshmëri më efikase të vendeve nga rajoni dhe anëtarët e kësaj nisme dhe më gjërë në BE, ndërsa njëherit do të kontribuojë edhe për përforcimin e kohezionit evropian, zhvillimin  e korridoreve më efikase, avancimin dhe përforcimin e korridoreve tregtare, energjetike dhe informatike, ndërsa me këtë edhe për përshpejtimin e rritjes ekonomike.

"Nismat të cilat vijnë nga jashtë janë shumë të rëndësishme dhe duhet t'i pranojmë si tonat dhe t'i vendosim në kuadrin e pozicioneve tona të biznesit që të hedhin një dritë tjetër dhe të mund të themi se kemi interes konkret nga ato. Nismat lokale duhet ta gjejnë vendin e tyre në një nismë të tillë globale siç është "Tre detet" sepse vetëm në mënyrë të tillë mund të themi se kemi krijuar një rrugë që na çon drejt integrimeve euroatlantike", tha Azeski.

Ai theksoi se në Ballkan duhet të punojnë forcat lëvizëse të ekonomisë së tregut në shtetet e mëdha të cilat mund të tërheqin përpara dhe të hapin tregje për prodhuesit dhe kompanitë tona.

Për të gjitha këto, siç tha ai, është kyçe rritja e eksportit nga vendi.

Këshilltari i lartë i kryetarit të Fondacionit Heritixh, Xhejms Karafano theksoi se nisma "Tre detet" është një mundësi unike për ne, sepse nga vrima e zezë e Ballkanit duhet të bëhemi një pikë e ndritshme.

"Maqedonia e Veriut është një pikë qendrore e nismës "Tre detet", sepse lidhja e Detit Adriatik me Detin e Zi është shumë e rëndësishme. Edhe pse nuk keni dalje në det, mund të lidhësh porte të rëndësishme sepse je në mes dhe lidhja sjell mundësi për energji, burime të reja, qendra inovacioni, të cilat do të krijojnë mundësi për rritje në të ardhmen dhe do të ndihmojnë bizneset. Ju mund të jeni një vend i vogël, por për mendimin tim, edhe dera më e madhe dhe më e fortë hapet nga një bravë e vogël dhe në rastin tonë ju jeni pikërisht brava e vogël", tha Karafano, duke treguar se nuk mund ta imagjinojë nismën "Tre Detet" pa qenë ky rajon pjesë thelbësore e saj.

Drejtori rajonal për Evropë i Institutit Republikan Ndërkombëtar, Pol MekKarti theksoi se është e rëndësishme përfshirja e Ballkanit Perëndimor në nismën "Tre detet".

"Nisma nuk mund të funksionojë vetëm me qasjen e Sllovenisë dhe Kroacisë në Detin Adriatik. Rëndësia e transversaleve veri-jug dhe lindje-perëndim do të kërkojë investime masive dhe bashkëpunimi ekonomik do të jetë kyç për të lidhur të gjithë rajonin", vuri në dukje MekKarti.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Zoran Dimitrovski tha se është nga vlera e jashtëzakonshme që BE-ja dhe vendet anëtare të pranojnë se zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor është çështje prioritare, strategjike dhe e sigurisë.

Vlera gjeopolitike dhe stabiliteti rajonal, shtoi ai, sjellin përfitime të rëndësishme direkte dhe indirekte si për Ballkanin Perëndimor ashtu edhe për vendin tonë nga aspekti ekonomik, politik dhe i sigurisë.

Ai theksoi se si vend pa dalje në det, të gjitha nismat në nivel rajonal dhe shumëpalësh në fushën e lehtësimit të tregtisë dhe transportit duhet të jenë prioritet për ne, pasi mundësojnë akses më të lehtë të produkteve tona në porte dhe procedura më të thjeshta për lehtësimin e eksportit.

Kryetari i Kongresit amerikano-serb dhe ish nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Serbisë, Vlladimir Marinkoviq tha se si vend janë të përkushtuar të përfshihen në të gjitha nismat rajonale, ndërsa veçanërisht në ato që janë të fokusuara në zhvillimin ekonomik dhe në krijimin e lidhshmërisë infrastrukturore, sigurisë energjetike dhe investimeve.

Ish ministri i Financave dhe Ekonomisë i Republikës së Shqipërisë, Arben Malaj, sërish tha se nisma "Tre detet", tani është prioritet për vendet e rajonit, por në të ardhmen do të jetë një prioritet ende më urgjent, kur bëhet fjalë për konfliktet dhe pasigurinë.

Nisma "Tre detet" përfshin trembëdhjetë vende-anëtare të BE-së të vendosura ndërmjet Detit Baltik, Detit të Zi dhe Detit Adriatik përkatësisht Austria, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia dhe Greqia. Ajo filloi në fitin 2014 si ide të përforcohen lidhjet në transport, energjetikë dhe informatikë. sa/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR