• e shtunë, 23 nëntor 2024

Axhigogov dhe Deanovski: Të ruhet vlera e pagës së dhjetorit, vendim përfundimtar për grevë për momentin nuk ka

Axhigogov dhe Deanovski: Të ruhet vlera e pagës së dhjetorit, vendim përfundimtar për grevë për momentin nuk ka

Shkup, 31 janar 2024 (MIA) - Të punësuarit në Fondin e Sigurimit Shëndetësor (FSSH) mbeten në kërkesën që pagat këtë vit t'i kenë në vlerën e pagës së dhjetorit të vitit 2023, gjegjësisht me rritjen e konfirmuar prej 15 për qind. Siç tha sonte kryetari i Sindikatës së FSSH, Branko Axhigogov, para për paga ka deri në dy muajt e fundit të vitit 2024, nëntor dhe dhjetor, pa u bërë ribalanc ose çfarëdo lloj transferimi i mjeteve sipas zërit. 

Sipas Axhigogov, vendim përfundimtar për grevë për momentin nuk ka, sepse ende nuk ka vendim të Bordit Drejtues (BD) nëse do të ketë ulje të pagave. 

"Nesër është i pari, do të mblidhet Bordi Drejtues. Do t'i bëja thirrje ministrit të Financave dhe anëtarëve të caktuar të Bordit Drejtues, që situata të mbetet e tillë, të mos e antagonizojnë popullin, të mos frikësohet populli, të mos na detyrojnë të bëjmë grevë. Le të kalojnë zgjedhjet dhe pastaj do të ulemi në tavolinë, do të ulen edhe ata me menaxhmentin dhe do të shohim se kush dhe nëse ka gabuar", theksoi Axhigogov.

Sipas kryetarit të Sindikatës së AOJSHQ, Tërpe Deanovski, nëse vazhdon pagesa e pagës së rritur nuk do të ketë kurrfarë problemi, as do të ketë grevë. 

Axhigogov dhe Deanovski të cilët janë mysafir në Top Tema, përsëritën se grevë më së paku duan të punësuarit në FSSH. 

"Të jem i qartë, paga ime e fundit është nga dhjetori 2023. Unë nuk kërkoj as më shumë, e as më pak, as nuk e kërkon ndonjë punësuar i Fondit. Kërkojmë që edhe këtë vit të paguhet rroga e fundit nga dhjetori, që ta ruajmë rrogën që na është paguar për herë të fundit në dhjetor dhe jo një herë, por sipas vendimit që tash e tutje paga të jetë kaq", theksoi Axhigogov.

Ai shtoi se pasi është rritur vlera e pikës në Fond, tani kërkohet që pagat të kthehen në nivelin paraprak që është, vlerësoi, befasi shumë e pakëndshme. 

Edhe për Deanovskin veprimi i Ministrisë së Financave nuk është logjik. 

"Më së shumti më befason veprimi i Ministrisë së Financave, e cila kërkon uljen e pagave në FSSH për 15 për qind, që për mua është absolutisht e palogjikshme. Fondi është institucion i pavarur dhe në Ligjin për sigurim shëndetësor thuhet se pagat jepen në kuadër të buxhetit të miratuar. Buxheti është miratuar nga Ministria e Financave dhe kjo pagë, e dhjetorit, është paguar me buxhetin e ri për vitin 2024, kështu që Ministria e Financave e ka ditur që do të paguhet pagë 15 për qind më e lartë dhe tani papritmas ka njoftim nga Ministria e Financave se po të vazhdohej pagesa e këtyre pagave, nuk do të kishte para për barna dhe për shëndetin publik", tha Deanovski dhe shtoi se MF-ja nuk e ka zakon t'u përgjigjet kërkesave të AOJSHQ-së, ose u përgjigjet, por siç tha ai, pas 4-5 muajve.

Të punësuarit në FSSH janë kërcënuar me grevë nëse u ulen pagat. Siç deklaroi pardje Axhigogov, nëse Bordi Drejtues i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore merr vendim për uljen e pagave të punëtorëve për 21 për qind, ata do të dalin në grevë, që do të thotë se në sportele do të punojë vetëm një person, i cili do të pranojë vetëm dokumentacion dhe nuk do të ketë pagesa për kapitacion për mjekët amë, për barnat në barnatore, për pagat në shëndetin publik, si dhe shërbime të tjera.

Buxheti i FSSH është mbi 46 miliardë denarë dhe prej tij për paga ndahen 1,19 për qind. 

Për nesër protestë për të ardhurat në sektorin publik paralajmëroi edhe Konfederata e Sindikatave të Lira (KSL). fc/

Fotografia: Printskrin

 

 

 

  

 

QËNDRONI TË LIDHUR