• e hënë, 23 dhjetor 2024

AUV: Mbarështuesit e deleve dhe dhive t'i përforcojnë masat për mbrojtje nga murtaja te ripërtypësit e vegjël

AUV: Mbarështuesit e deleve dhe dhive t'i përforcojnë masat për mbrojtje nga murtaja te ripërtypësit e vegjël

Shkup, 9 gusht 2024 (MIA) - Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) apelon që mbarështuesit e deleve dhe dhive t'i përforcojnë masat për mbrojtje nga murtaja te ripërtypësit e vegjël. Siç informon, e ndjek gjendjen me këtë sëmundje e cila është konfirmuar në rajon. 

"Për të ruajtur statusin e një vendi të lirë nga sëmundja, për të eksportuar kafshë të gjalla, mish nga delet dhe dhitë dhe prodhimet e tyre në Bashkimin Evropian dhe mbrojtje nga futja e virusit të sëmundjes, në fuqi janë vendimet për ndalesën e importit dhe tranzitit të kafshëve të gjalla (dele dhe dhi shtëpiake dhe të egra), dhe produktet dhe nënproduktet me origjinë shtazore nga rajonet ku është konfirmuar sëmundja në Republikën e Rumanisë dhe në Republikën e Greqisë, të cilat AUV i solli në korrik të këtij viti menjëherë pas konfirmimit të sëmundjes në rajonet e treguara në këto vende. Si institucion përgjegjës për kujdesin shëndetësor të kafshëve, pas konfirmimit të sëmundjes në rajon, AUV ka njoftuar Odën Veterinare, shoqatat veterinare, mbarështuesit e kafshëve dhe veterinerët zyrtarë për detyrimet e tyre lidhur me zbatimin e aktiviteteve për zbulimin e hershëm të murtajës te ripërtypësit e vegjël", citon AUV.

Theksohet edhe se është dërguar apel te mbarështuesit menjëherë të raportojnë te shoqatat veterinare dhe veterinarët zyrtarë nëse vërejnë paraqitje të simptomave të sëmundjes, madje edhe te një kafshë, me ç'rast asnjë nga kafshët nuk guxon të largohet nga ferma.

Sipas Agjencisë, shoqatat veterinare duhet ta rrisin nivelin e kujdesit dhe menjëherë të raportojnë te veterinari zyrtar nëse vërejnë disa nga simptomat e kësaj sëmundje ose ngordhje të kafshëve nga llojet e dhenve dhe dhive.

Njerëzit nuk janë të ndjeshëm ndaj virusit dhe nuk ka asnjë rrezik për shëndetin e tyre.

AUV zhvilloi një takim koordinues me ekspertë të fushës, ku u shqyrtua situata epidemiologjike në vend dhe në rajon. U bënë konkluzione për marrjen e masave të shtuara të sigurisë për të parandaluar futjen dhe përhapjen e sëmundjes në vend. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR