• e shtunë, 14 qershor 2025

Atletik Bilbao - ekipi ku mund të luajnë vetëm baskët

Atletik Bilbao - ekipi ku mund të luajnë vetëm baskët

21 maj 2025

Tema sport

Në Bilbao, qendra e Rajonit Autonom Bask në Spanjën e sotme, rreh zemra e një prej klubeve unike të futbollit jo vetëm në Evropë, por në të gjithë botën. Bëhet fjalë për Atletikon - ekipin në të cilin mund të luajnë vetëm baskët ose të huajt me origjinë të tillë, për shembull, nga martesat e përziera.

Sonte, stadiumi i bukur "San Mamesh" i Atletikos do të jetë nikoqir i finales së Ligës së Evropës midis Totenhemit dhe Mançester junajted, ndërsa dashamirët e futbollit shpresojnë që të dy ekipet angleze të përdorin shpirtin dhe guximin e famshëm bask. Dhe kjo sigurisht do të garantonte një finale madhështore të turneut të dytë më të fortë në Kontinentin e vjetër.

Por, pse është Atletik Bilbao, në stadiumin e të cilit do të luhet ndeshja e madhe, një klub kaq unik dhe i rëndësishëm futbolli?

Krenari dhe thirrje – çfarë do të thotë të jesh bask

Baskët janë një nga popujt më të vjetër në Evropë, me një gjuhë - euskane, e cila nuk ka lidhje me gjuhët e tjera. Duke jetuar në Spanjën veriore dhe Francën jugperëndimore, ata janë të njohur për kulturën e tyre të pavarur, tradita të tilla si "pelota" dhe festivale të tilla si "Asté Nagusia". Shikuar historikisht, baskët luftuan për autonominë e tyre, veçanërisht gjatë regjimit të Frankos, kur euskara u ndalua. Kjo rezistencë është në qendër të krenarisë së tyre dhe Atletik Bilbao është shprehje sportive e këtij identiteti.

Lindja e Atletik Bilbao dhe fillimi i traditës

Atletik Bilbao u themelua në vitin 1898 nga të rinjtë baskë të frymëzuar nga marinarët britanikë që sollën futbollin në Bilbao. Vetëm 14 vjet më vonë, u mor vendim që është ende në fuqi sot, e që e bën Atletikon një nga klubet më unike të futbollit në planet.

Edhe sot, me rritjen e komercializimit të futbollit, ku luajnë rol kryesor paratë dhe transferimet e lojtarëve të famshëm, Atletiko i përmbahet traditave dhe nuk i tradhton kurrë. Për më shumë se 100 vjet, klubi ka ndjekur vazhdimisht trashëgiminë e themeluesve të tij - që vetëm baskët ose lojtarët me rrënjë baske duhet të luajnë për Atletikon.

Me fjalë të tjera, fanella legjendare e Atletikos mund të vishet vetëm nga lojtarë që përmbushin filozofinë "cantera y corazón"("Akademia dhe zemra"). Kjo është edhe një lloj garancie që vetëm futbollistët që janë të lidhur pazgjidhshmërisht me kauzën dhe do të bëjnë gjithmonë më të mirën në fushë të konkurrojnë për “luanët”.

Akademia "Lesama" është burim talentësh

Akademia "Lesama", e themeluar në vitin 1971, është zemra e Atletikos. I trajnon futbollistët e rinj jo vetëm futboll, por edhe vlera të lashta baske - disiplinë, unitet, krenari. "Lesama" prodhoi yje të tillë si Hoze Anhel Iribar, Fernando Lorente dhe Iker Muniain, me ç'rast zakonisht mbi 80% e ekipit janë nga shkolla e tij. Ajo është simbol i qëndrueshmërisë, duke investuar në fëmijët lokal që ëndërrojnë të luajnë për Atletikon.

Falë produktivitetit të Akademisë, Atletiko është një nga vetëm tre klubet në Spanjë që nuk e kanë braktisur kurrë Ligën e parë. Klubi ka tetë tituj të La Ligës (i fundit në vitin 1984) dhe 24 trofe të Kupës. E fundit nga këto u fitua në vitin 2024 dhe dhjetëra mijëra tifozë të klubit u bashkuan në festime në rrugë dhe në anijet e lumit Nervion.

Në vitin 2012, ekipi arriti në finalen e Ligës Evropë, por humbi nga Atletiko Madridi. Suksesi është mbresëlënës duke qenë se klubi mbështetet në vetëm 2.5 milionë njerëz në rajonin bask, duke dëshmuar se talenti dhe pasioni mund të mbizotërojnë mbi fuqinë financiare.

Thelbi është se Atletiko është anomali e vërtetë në futbollin e globalizuar. Ndryshe nga klubet si Mançester Siti ose Real Madrid, të cilat i blejnë yjet më të mëdha ndërkombëtare, Atletiko nuk bën kurrë kompromise me traditën e saj. Klube të tjera të përqendruara në nivel rajonal, të tilla si Çivas Guadalahara, kanë politika të ngjashme, por asnjë nuk e ka kombinuar një filozofi të tillë me sukses të nivelit të lartë.

Legjendat e Atletik – të lidhura ngushtë me filozofinë e tij të kultit

Gjatë viteve, disa futbollistë të mëdhenj kanë veshur fanellën e "Luanëve". Dhe gjithmonë në përputhje me filozofinë thelbësore të klubit – të qenit bask ose me origjinë baske.

Telmo Sara, për shembull, është sulmuesi i madh i Atletikos, i njohur me nofkën “El Rey” (“Mbreti”). Me instinktin e tij para golit, Sara udhëhoqi Atletikon deri te titulli në vitin 1956 dhe dy Kupa mbretërore. Forca e tij fizike dhe talenti për të shënuar gola e bëjnë atë një idhull, ndërsa përkushtimi i tij ndaj vendit bask - simbol i krenarisë lokale.

Hoze Anhel Iribar është një emër tjetër i madh në historinë e Atletikos. I konsideruar si portieri numër 1 i gjigantit bask, Iribari ishte figurë kyçe në fitimin e Kupës mbretërore në vitet 1969 dhe 1973 dhe ishte i njohur për karizmën dhe cilësitë e tij udhëheqëse. Gjatë regjimit të Frankos, kur kultura baske u shtyp, Iribari u bë simbol i rezistencës, duke treguar hapur identitetin e tij bask.

Vlen gjithashtu të përmendet Hozeba Eçeberija, një nga yjet e Atletikos në fund të shekullit të 20-të dhe në fillim të shekullit të 21-të. Ai luajti për klubin midis 1995 dhe 2010, duke regjistruar 468 paraqitje dhe 104 gola. Sulmuesi anësor është i njohur për shpejtësinë dhe shutimet e tij qendrore, gjë që e bën atë të favorit të "San Mamesh". Eçeberia është shembull i lojalitetit – në vitin 2008, kur Atletiko po luftonte për mbijetesë, ai hoqi dorë nga paga e tij për të ndihmuar klubin financiarisht. Pas përfundimit të karrierës së tij, ai u bë trajner, duke përfshirë edhe ekipet e të rinjve të "Lesama", duke vazhduar të përcjellë vlerat baske.

Atletik Bilbao është simbol i identitetit, komunitetit dhe krenarisë baske. Tradita e saj për t'u mbështetur ekskluzivisht te lojtarët baskë është unike dhe krenaria e legjendave dhe suksesit të saj, pavarësisht kufizimeve të saj, janë dëshmi e fuqisë së talentit lokal. Nga Lesama në "San Mamesh", Atletik frymëzon, duke treguar se besnikëria ndaj rrënjëve është e rëndësishme. bsh/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR