Asnjë dëshmitar i Prokurorisë nuk u paraqit në seancën e sotme gjyqësore për zjarrin në "Puls"
- Me kërkesë për ekspertiza psikiatrike, lexim të deklaratës së dëshmitarit dhe propozime për verifikimin e disponueshmërisë, kaloi seanca e sotme për zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan, në të cilën nuk ishte i pranishëm asnjë nga dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria Publike. Gjykata i pranoi propozimet e Prokurorisë, përfshirë edhe leximin e deklaratës së Denis Dautovskit i cili nuk është i disponueshëm për organet e ndjekjes penale.
- Post By Qefsere Abduli
- 13:36, 16 prill, 2026
Shkup, 16 prill 2026 (MIA) - Me kërkesë për ekspertiza psikiatrike, lexim të deklaratës së dëshmitarit dhe propozime për verifikimin e disponueshmërisë, kaloi seanca e sotme për zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan, në të cilën nuk ishte i pranishëm asnjë nga dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria Publike. Gjykata i pranoi propozimet e Prokurorisë, përfshirë edhe leximin e deklaratës së Denis Dautovskit i cili nuk është i disponueshëm për organet e ndjekjes penale.
Për dëshmitaret Ana Tomeva dhe Lina Kërstova, Prokuroria njoftoi angazhimin e një eksperti nga fusha e psikiatrisë, pas së cilës gjykata do të vendosë nëse janë plotësuar kushtet për zbatimin e nenit 388 paragrafi 5 të Ligjit për procedurën penale (LPP).
"Në seancën e mëparshme ju thatë në parim se ka mbërritur dokumentacioni mjekësor dhe se do të na njoftoni më pas, por për të respektuar procedurën, nga ana e Prokurorisë është angazhuar një ekspert nga fusha e psikiatrisë, në mënyrë që ai të japë mendim nëse gjendja në të cilën ndodhet Ana Tomeva përbën sëmundje mendore, me qëllim që të mund të kalohet në zbatimin e përjashtimit të parashikuar në dispozitën e nenit 388 paragrafi 5 të Kodit të Procedurës Penale për paraqitjen e drejtpërdrejtë të provave. Megjithatë, duke qenë se dokumentacioni mjekësor ndodhet te ju, ndërsa sigurisht duhet të bëhet edhe një mbikëqyrje e drejtpërdrejtë nga ana e personit profesional, një dokumentacion i tillë do të sigurohet dhe do t’i paraqitet më pas gjykatës që ta zbatojmë atë", theksojnë nga Prokuroria.
Procedurë e ngjashme u paralajmërua edhe për dëshmitaren Lina Kërstova.
"Gjithashtu, duke pasur parasysh dokumentacionin mjekësor të pranuar sot për dëshmitaren Lina Kërstova, edhe për të do të kërkohet mendim nga një ekspert lidhur me gjendjen shëndetësore të kësaj dëshmitare, për të vlerësuar nëse bëhet fjalë për një sëmundje mendore për shkak të së cilës dëshmitarja nuk do të mund të japë përsëri drejtpërdrejt dëshminë e saj para kësaj gjykate dhe nëse mund të zbatohet neni 388 paragrafi 5 i Kodit të Procedurës Penale. Pas sigurimit të mendimit të ekspertit, menjëherë do t’i dorëzohet gjykatës dhe do të procedojmë me propozimin tonë lidhur me këta dëshmitarë, në varësi të konstatimit", shtojnë nga Prokuroria.
Mbrojtja kërkoi tërheqjen e këtyre dëshmitareve, duke vlerësuar se nëse ekspertiza do të konstatojë një sëmundje mendore, deklaratat e tyre të mëparshme do të ishin të pabesueshme, por gjykata vendosi që të përgatiten ekspertiza për Tomevën dhe për Kërstovën.
Për dëshmitaret Aleksandra Pepelarovska dhe Tea Gjorgjievska, me të cilat Prokuroria nuk ka arritur të kontaktojë, gjykata pranoi që të dërgohen ftesa.
"Në lidhje me dëshmitaret Aleksandra Pepelarovska dhe Tea Gjorgjievska, nga ana e Prokurorisë janë bërë përpjekje për kontakt, megjithatë ato kanë qenë të pasuksesshme, ndërsa në mungesë të komunikimit telefonik, propozojmë që nga ana e gjykatës të dërgohen ftesa për këta dëshmitar për seancë. Adresat gjenden në listën e provave, por nëse është e nevojshme, do t’i dorëzojmë menjëherë", theksuan nga Prokuroria.
Për dëshmitarin Dario Trifunov, Prokuroria ka dorëzuar njoftim se ai ndodhet jashtë vendit.
"Në lidhje me dëshmitarin Dario, nga ana e Prokurorisë është siguruar një njoftim nga MPB, BSP, SPB Shtip, e datës 15.4.2026, me të cilin jemi njoftuar se është vepruar sipas urdhrit tonë dhe, pas kontrolleve të kryera, është konstatuar se personi ndodhet në Republikën e Bullgarisë, ku po studion në një adresë të panjohur. Këtë njoftim e paraqesim para gjykatës, pasi në të nuk është e specifikuar nëse ai është i disponueshëm për organet e ndjekjes penale. Propozojmë që nga ana e gjykatës të dërgohet urdhër për verifikimin e disponueshmërisë së këtij dëshmitari, me qëllim që të mund të kalohet në zbatimin e ligjit", thonë nga Prokuroria.
Gjykata pranoi që ftesat për Pepelarovskën, Gjorgjievskën dhe Trifunovin të dorëzohen për seancën kryesore të caktuar më 22 prill 2026.
Në seancë u lexua deklarata e Denis Dautovskit, e dhënë para Prokurorisë në Koçan, pasi gjykata konstatoi se ai nuk është i disponueshëm për organet e ndjekjes penale.
"Në lidhje me vendosjen e pajisjeve ishte i ngarkuar Filip Stefanovski, tashmë i ndjerë. Ndriçimi iu la në përgjegjësi pronarëve, ndërsa për sa u përket spërkatësve, e di që Panço, kur filloi t’i përdorte për herë të parë, fillimisht bleu një kuti me 8 drejtkëndësha me bateri 9 volt, ku duhet të vendosen patronë, të cilët më pas aktivizohen me telekomandë. Nuk e di nga e ka siguruar këtë kuti, por e di që e mbante në automjetin e tij. Supozojë se spërkatëset i kishte siguruar nga i njëjti vend që më kishte treguar edhe mua... Pasi u siguruan, unë personalisht pashë që i vendoste Martin Buco, ndërsa më parë i kisha vendosur edhe unë... Spërkatëset i aktivizuam njëkohësisht, sepse telekomanda kishte vetëm një buton. Mendoj se gjatë marrëveshjes për paraqitjet, vendosja e spërkatëseve u ishte njoftuar pronarëve të lokalit, por nëse është raportuar te organi kompetent, nuk e di", thuhet në dëshminë e Dautovskit.
Gjykimi ka të bëjë me zjarrin në diskotekën "Puls", i cili shpërtheu më 16 mars 2025 gjatë paraqitjes së grupit DNK, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 u plagosën. Procesi po zhvillohet në gjykatën në "Idrizovë". qa/
Foto: Arkivi i MIA-s