ASH: VLEN pranon dështimin
- Deklarata e zëvendëskryeministrit të parë, Bekim Sali, se “kultura shqiptare për momentin është e cunguar pjesërisht”, është skandaloze dhe një pranim publik i dështimit të Qeverisë ku ai vetë është pjesë.
- Post By Fitore Curri
- 10:48, 8 shkurt, 2026
Shkup, 8 shkurt 2026
Deklarata e zëvendëskryeministrit të parë, Bekim Sali, se “kultura shqiptare për momentin është e cunguar pjesërisht”, është skandaloze dhe një pranim publik i dështimit të Qeverisë ku ai vetë është pjesë.
Gjendjen e mjerueshme të kulturës shqiptare në Maqedoninë e Veriut e kanë artikuluar prej kohësh artistët, krijuesit dhe opozita shqiptare. Tani kjo gjendje konfirmohet edhe nga vetë zyrtarët shqiptarë në Qeveri. Ky nuk është më opinion politik, por fakt i pranuar nga brenda pushtetit.
Aleanca për Shqiptarët pyet hapur: cili është realisht roli i VLEN-it në Qeveri?
A janë dekor politik?
Të shantazhuar?
Të pafuqishëm për të ndikuar në politikat shtetërore?
Është e papranueshme që zyrtarë shqiptarë në Qeveri të sillen si opozitë verbale, duke konstatuar probleme, por pa marrë asnjë përgjegjësi për zgjidhjen e tyre. Deklaratat kritike nuk e zëvendësojnë veprimin politik dhe institucional.
Edhe pas dy vitesh në pushtet, shqiptarët nuk kanë parë as strategji serioze për kulturën, as investime dinjitoze, as mbrojtje të identitetit kulturor. Në vend të rezultateve, kemi justifikime dhe deklarata vetëakuzuese.
Aleanca për Shqiptarët kërkon përgjegjësi politike. Qeveria nuk është vend për ankesa, por për vendimmarrje. Kush nuk është i aftë të ndryshojë gjendjen, duhet të mbajë përgjegjësi ose të largohet.
Aleanca për Shqiptarët
_______________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.
Foto: Arkivi i MIA-s