• e hënë, 23 dhjetor 2024

ASH diasporë: VLEN bashkëpjesëmarrëse në fshirjen e diasporës, tërhiqni vendimin

ASH diasporë: VLEN bashkëpjesëmarrëse në fshirjen e diasporës, tërhiqni vendimin

Shkup, 29 qershor 2024

Me shqetësim të madh po ndjekim zhvillimet politike në vendin tonë, ku për një kohë të shkurtër nga Qeveria e re janë sjellë disa vendime në dëm të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera. Së fundmi kjo Qeveri solli edhe vendimin më të rëndë për ne si diasporë, ndryshimet në balanser, duke na fshirë nga statistika zyrtare dhe duke na mohuar kështu të drejtën e përfaqësimit dhe të qenurit pjesë e popullatës së përgjithshme në vend. Këtë padrejtësi të madhe jo vetëm që e ka lejuar, por edhe po e realizon edhe koalicioni vLEN të cilët tanimë janë bashkë pjesëmarrës në vendimmarrjet e këtilla.

Ne si diasporë rikujtojmë se jemi qytetarë të Maqedonisë së Veriut dhe kontribuues të drejtpërdrejtë në të gjitha proceset në vend, si në ato ekonomike përmes remitencave dhe në shumë raste edhe investimeve të drejtpërdrejta, ashtu edhe në shumë sfera të tjera të jetës publike. Ne jemi të lidhur drejtpërdrejtë me vendlindjen tonë, në shumë momente kemi qenë të kyçur drejtpërdrejtë dhe kërkojmë që të rikthehet trajtimi i barabartë me qytetarët e tjerë. Koalicioni VLEN më së shumti ka keqpërdorur diasporën për qëllime parazgjedhore, ndërsa tani jo vetëm që e kthen shpinën, por dëshiron të na bëjë edhe inekzistent.

Të gjitha degët e Aleancës për Shqiptarët në diasporë, reagojnë zëshëm ndaj vendimit të fundit për fshirjen e diasporës shqiptare nga statistika zyrtare e përfaqësimit të drejtë dhe për këtë vendim do të alarmojmë edhe qendrat vendimmarrëse evropiane dhe botërore si dhe të gjitha shoqatat e diasporës shqiptare. 

Këto vendime të Qeverisë jolegjitime i shohim edhe si një hap drejt pengimit të rikthimit tonë në vendlindje dhe dyshojmë se fshihen edhe skenare më të rrezikshme.

Ftojmë të gjitha forcat e tjera politike, organizatat qytetare dhe çdo bashkatdhetar të ngrisë zërin dhe të mos lejojmë këtë padrejtësi që rrënon arritjet mbi dy dekadëshe për integrim të diasporës dhe nxjerrjen e përqindjes reale të popullsisë në Maqedoninë e Veriut.

Degët e Aleancës për Shqiptarët në diasporë

_________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

QËNDRONI TË LIDHUR