• e diel, 22 dhjetor 2024

Artistë të rinj nga Franca, Gjermania dhe Maqedonia e Veriut do të pikturojnë një mural me porosi për paqe

Artistë të rinj nga Franca, Gjermania dhe Maqedonia e Veriut do të pikturojnë një mural me porosi për paqe

Shkup, 4 maj 2023 (MIA) - Njëzetë e një artistë të rinj nga Franca, Gjermania dhe Maqedonia e Veriut janë pjesë e projektit të Institutit Francez në Shkup, Institutit Gete dhe shoqatës "Loja" nga Tetova të titulluar "Na lëni të qetë", i cili ka për qëllim përforcimin e dialogut multikulturor ndërmjet të rinjve nga tre vendet, nxitjen e kreativitetit dhe shprehjes së lirë te të rinjtë, thirrje për paqe dhe pajtim përmes artit.

Projekti realizohet nga 1 deri më 7 maj me mbështetjen e Zyrës Franko-Gjermane për Rini dhe Fondit Kulturor Franko-Gjerman, në kuadër të programit "Evropa jonë, e ardhmja jonë" dhe për nder të 60-vjetorit të nënshkrimit të Traktatit të Elizesë.

Të rinjtë, nga shtatë prej secilit nga tre vendet, nën mentorimin e tri artisteve të njohura: francezes Ema Popi, gjermanes Damjan Iv Rode dhe ukrainases dhe Maria Sorokina Somari, dy ditët e kaluara kaluan një trajnim për pikturim të muralit. Trajnimi u mbajt më 2 dhe 3 maj në gjimnazin "Georgi Dimitrov" në Shkup, në praninë e nxënësve të shkollave të mesme nga gjimnazi.
 

Krijuesit e rinj sot dhe nesër do të punojnë në muralin në Parkun e Qytetit në Shkup (menjëherë afër klubit të natës „Pure", përballë hyrjes kryesore të ish Luna Parkut).

“Së bashku do ta dizenjojnë muralin me porosi për paqen në Ukrainë dhe në botë, ndërsa porosia e paqes duhet të ketë jehonë të gjerë për të gjithë qytetarët, artdashësit dhe të rinjtë", thonë organizatorët.

Njëkohësisht, sot, në orën 16:00, në Europe House, do të organizohet një debat idesh “Evropa është e ardhmja jonë”, në të cilin do të marrin pjesë artistë të rinj dhe ekspertë vendas, të cilët do të diskutojnë mbi sfidat aktuale me të cilat përballet Bashkimi Evropian, si dhe për të ardhmen e Ballkanit. Debati po mbahet për të shënuar 60-vjetorin e Traktatit të Elizesë.

Edhe një mural më i vogël do të bëhet në komunën e Tetovës me qëllim, siç bëhet e ditur, përkujtimit se integrimi evropian është e vetmja e ardhme për të rinjtë.

Murali duhet të përfundojë nesër, ndërsa do të shënohet me deklarata të bartësve të projektit, drejtorët e Institutit Francez në Shkup dhe Institutit Gete.

Pas përfundimit të projektit, do të ketë një video incizim i cili do të shpërndahet në rrjetet sociale. Do të realizohet edhe ekspozitë e fotografive në format të madh, e cila do të shfaqet në shumë qytete të Maqedonisë së Veriut, ndërsa do ta mbajë titullin "Të rinjtë për paqe". fc/

Fotografia: Fejsbuku i Institutit Francez -Shkup

 

QËNDRONI TË LIDHUR