• e premte, 05 dhjetor 2025

Arsovska: Unë dhe ekipi im jemi sulmuar gjatë një inspektimi të një ndërtese të paligjshme në Çair

Arsovska: Unë dhe ekipi im jemi sulmuar gjatë një inspektimi të një ndërtese të paligjshme në Çair

Shkup, 11 korrik 2025 (MIA) - Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, pohon se sot gjatë një inspektimi dhe kontrolli të një ndërtese të paligjshme në Komunën e Çairit, ajo dhe ekipi që ishte me të janë sulmuar fillimisht verbalisht, pastaj fizikisht, me shqelma, para anëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Personi që, siç thotë ajo, me shumë gjasa është pronari i ndërtesës së paligjshme e ka kërcënuar atë dhe familjen e saj.

Pas sulmit, ajo shkoi në Qendrën Urgjente "8 Shtatori", ku mori ndihmë mjekësore.

Arsovska, pasi doli nga institucioni shëndetësor, në një deklaratë për mediat tha se personi u gjet duke vjedhur energji elektrike dhe ujë, sepse nuk kishte paguar asnjë denar, as taksa, as shërbime komunale, as në Qytet, as askund tjetër. Kryetarja e qytetit të Shkupit thotë se personi nuk ka asnjë miratim apo dokumentacion për ndërtimin.

Edhe nga policia konfirmuan se kryetarja e qytetit të Shkupit u sulmua gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.

"Më 11.07.2025 në orën 12:15, A.J. ka raportuar në SPB Shkup se gjatë kryerjes së detyrave të punës në rrugën Kumbara, kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, është sulmuar fizikisht dhe se disa persona i kanë bërë kërcënime verbale. Ajo nuk ka dashur të paraqesë raport për incidentin, pas së cilës ka shkuar në SPQ "8 Shtatori" për ndihmë mjekësore" - thuhet në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Komuna e Çairit sot përmes kumtesës dënoi incidentin e ndodhur mes kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, dhe disa individëve në territorin e Komunës.

"Të tilla akte janë të papranueshme dhe përbëjnë cenim të rëndë të normave të sjelljes në një shoqëri demokratike dhe të civilizuar", thonë nga Komuna.

Nga komuna theksojnë se e rëndësishme është që opinioni të informohet saktë, sqarojnë se ngjarja nuk ka asnjë lidhje me institucionin e tyre.

"Asnjë i punësuar apo funksionar i Komunës së Çairit nuk ka qenë i përfshirë apo i pranishëm në vendin e ngjarjes", theksojnë nga Komuna.

Komuna e Çairit, thonë mbetet e përkushtuar ndaj ruajtjes së rendit publik, respektimit të institucioneve dhe promovimit të bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve. sa/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR