• e premte, 22 nëntor 2024

Arsovska: Bulevardi "Boca Ivanova" është paraparë të ndërtohet që në vitin 2002

Arsovska: Bulevardi

Shkup, 11 mars 2023 (MIA) - Projekti për ndërtimin e bulevardit "Boca Ivanova" në komunën e Butelit është një nga projektet kyçe të programit "Për Shkupin modern", program për të cilin votuan 120.000 qytetarë të qytetit të Shkupit. Një numër i madh i këtyre qytetarëve janë banorë të komunës së Butelit, të cilët vetë e kanë theksuar këtë projekt si kyç për ta. Prandaj, me indinjatë më duhet t'i hedh poshtë gënjeshtrat që i ka thënë ditëve të fundit kryetari i komunës së Butelit, Darko Kostovski, deklaroi kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, në konferencën e sotme për media.

"Bëhet fjalë për një projekt kapital për ndërtimin e një zgjidhjeje bulevardi tërësisht të re, që përfshin ndërtimin e një rrjeti të ri ujësjellësi dhe atmosferik, si dhe ndriçimin e ri rrugor. Në bulevard është parashikuar një shteg për biçikleta, një shteg për këmbësorë dhe dhe rregullim përkatës në të gjithë shtrirjen e tij. Sipas Planit të Përgjithshëm Urbanistik të qytetit të Shkupit, ky bulevard ishte planifikuar të ndërtohet që në vitin 2002, ndërsa më vonë u konfirmua në vitin 2012 kur kryetar ishte Koce Trajanovski, përndryshe kryetar komune nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Pra, ky bulevard është paraparë dhe premtuar për pak më shumë se 20 vjet", tha Arsovska.

Ajo sqaroi se bulevardi shtrihet në tokë shtetërore, por megjithatë, në një pjesë të trasesë ku duhet të ndërtohet, ekzistojnë dhjetëra familje, të cilat sipas Arsovskës, i kanë zgjeruar oborret e tyre në atë tokë shtetërore, në të cilën është paraparë ndërtimi i këtij bulevardi.

Lidhur me akuzat e Kostovskit, ajo theksoi se PDU i komunës së Butelit, i cili parasheh ndërtimin e shtatë ndërtesave në bulevardin “Boca Ivanova”, është bërë nga kryetari i atëhershëm Petre Latinovski dhe është votuar në vitin 2015 nga këshilltarët në Këshillin e Komunës së Butelit nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Ky PDU për ndërtimin e shtatë objekteve, i cili është votuar nga VMRO-DPMNE, është ende në fuqi dhe në asnjë moment gjatë vitit të kaluar Kostovski nuk ka reaguar për anulimin e këtyre shtatë objekteve apo për tërheqjen e objekteve të reja në Butel.

Sipas kryetares, kjo nënkupton se, VMRO-DPMNE jo vetëm që kanë lejuar të regjistrohen për ndërtim shtatë ndërtesa në këtë bulevard, por ata e kanë miratuar edhe planin për ndërtimin e këtyre ndërtesave.

Nëse me të vërtetë angazhohet kundër mafias urbane siç ka thënë, theksoi ajo, do ta realizojë atë që e ka premtuar dhe hapësirën do ta ridedikojë për ndërtimin e një parku të ri modern për sport dhe zbavitje. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR