• e diel, 22 dhjetor 2024

Arrestohet kryetarja në dorëheqje e Parlamentit të Republikës Jugafrikane, akuzohet për korrupsion

Arrestohet kryetarja në dorëheqje e Parlamentit të Republikës Jugafrikane, akuzohet për korrupsion

Johanesburg, 4 prill 2024 (MIA) - Kryetarja në dorëheqje e Parlamentit të Republikës Jugafrikane, Nosivive Mapisa - Nkakulla, sot është arrestuar pasi iu dorëzua policisë në kuadër të hetimit për korrupsion nga koha kur ishte ministre e mbrojtjes. 

"Ajo do të paraqitet para gjykatës në Pretoria më vonë sot që të dëgjojë për çka akuzohet", deklaroi Henri Mamotame, zëdhënës i prokurorisë kombëtare të Republikës Jugafrikane, duke konfirmuar se Mapisa- Nkakulla është arrestuar mëngjesin e sotëm. 

Nosivive Mapisa - Nkakulla, e cila është kryetare e Parlamentit nga viti 2021 dhe është anëtare e Komitetit ekzekutiv kombëtar të partisë Kongresi Kombëtar Afrikan, e cila sundon nga fundi i aparteidit, dje njoftoi se jep dorëheqje. 

"Duke pasur parasysh seriozitetin e akuzave të publikuara kundër meje, nuk mund të vazhdoj ta mbaj këtë pozitë", sqaroi ajo në letrën me dorëheqje. 

Mapisa - Nkakulla tha se tërhiqet që ta ruajë autoritetin e institucionit dhe të përqendrohet në hetimin kundër saj.

Mapisa - Nkakulla (67 vjeçare) akuzohet se ka pranuar shuma të mëdha të parave derisa ishte ministre e mbrojtjes (2014-2021). Sipas mediave lokale, ajo akuzohet për marrje të mitos prej 2,3 milionë randë (121.000 dollarë ose 113.000 euro).

Më 29 maj, jugafrikanët duhet të dalin të votojnë për parlament të ri i cili do ta zgjedhë kryetarin e ardhshëm. fc/

Fotografia: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR