Arrestohet drejtori i një institucioni shëndetësor për shkak të dyshimit se ka pranuar ryshfet në vlerë prej 20.000 euro
- – Në një aksion të koordinuar me Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, janë arrestuar dy persona, në mesin e të cilëve edhe drejtori i një institucioni shëndetësor, për shkak të dyshimit se ka pranuar ryshfet në vlerë prej 20.000 euro, informon drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, Aleksandar Janev.
- Post By Fitore Curri
- 20:23, 8 prill, 2025

Shkup, 8 prill 2025 (MIA) – Në një aksion të koordinuar me Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, janë arrestuar dy persona, në mesin e të cilëve edhe drejtori i një institucioni shëndetësor, për shkak të dyshimit se ka pranuar ryshfet në vlerë prej 20.000 euro, informon drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, Aleksandar Janev.
Drejtori, bashkë me një ndërmjetësues, kishin kërkuar dhe pranuar ryshfet për akomodim të një personi të sëmurë dhe të palëvizshëm në institucionin geriatrik.
“Ne duhet të kthejmë sistemin e shkatërruar dhe do ta rikthejmë në funksion. Fatkeqësisht, kur ende mbretëron pikëllimi kombëtar, disa individë guxojnë të përfitojnë ilegalisht. Ne vazhdojmë të punojmë me përkushtim drejt pastrimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke kontribuar në sigurimin e drejtësisë, institucioneve të drejta dhe transparente. Ne nuk lejojmë dhe nuk do të lejojmë që raste të tilla të mbeten pa u ndëshkuar”, ka shkruar Janev në Fejsbuk.
Më parë sot MPB, informoi se janë arrestuar dy persona nën dyshimin për vepra penale “pranim të ryshfetit” dhe “pranim të shpërblimit për ndikim të jashtëligjshëm”.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari sot përmes një kumtese, gjithashtu, reagoi lidhur me arrestimin e drejtorit të ISHP Spitalit të Specializuar për Mjekësi Geriatrike dhe Paliative “13 Nëntori Shkup” për pranim të ryshfetit. Ai potencoi se drejtësia duhet të jetë jo selektive dhe në përputhje me të gjitha mekanizmat dhe vlerat themelore kushtetuese dhe ligjore.
Drejtori i Spitalit Geriatrik “13 nëntori”, Muhsin Arifi, ishte emëruar u.d. drejtor i Geriatrisë në korrik të vitit të kaluar nga ana e ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari. Paraprakisht ishte drejtor i spitalit psikiatrik në Bardovcë. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s