• e hënë, 23 dhjetor 2024

Arrest shtëpiak për katër serbët për sulm ndaj policëve në Mitrovicë të Veriut

Arrest shtëpiak për katër serbët për sulm ndaj policëve në Mitrovicë të Veriut

Prishtinë, 11 shtator 2024 (MIA) – Gjykata Themelore në Mitrovicën e Veriut u shqiptoi arrest shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditëve katër djemve serbë të arrestuar natën mes të martës dhe të mërkurës në atë qytet për shkak të ofendimeve dhe sulmit ndaj pjesëtarëve të policisë së Kosovës, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Lajmin në deklaratë për mediat e konfirmuan avokatët e serbëve të arrestuar, të cilët informuan se ata para gjykatës e kishin pranuar se kanë ofenduar policët e Kosovës, por mohuan se fizikisht i kanë sulmuar. 

“Prokuroria ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit pasi dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘sulm ndaj personit zyrtar’. Pas mbajtjes së seancës dëgjimore që zgjati bukur shumë, gjyqtari i procedurës paraprake e ka refuzuar kërkesën e prokurorisë dhe ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak.  Kanë kërkuar falje dhe kanë pranuar se i kanë fyer policët por jo që i kanë sulmuar fizikisht”, tha avokati Shyqeri Syla.

Ai tha se pajtohet me masën e arrestit shtëpiak ndaj katër të rinjve serbë, për të cilët tha se është hera e parë që kanë kryer vepër penale.

Avokati tjetër, Nebojsha Vllajiq, tha se vendimi i sotëm gjyqësor është “fitore e vogël e drejtësisë”, sepse prokurori kërkoi tu caktohet arrest.

“Kjo është një fitore e vogël e drejtësisë. E vogël, sepse u caktua masa e arrestit shtëpiak. Ne besojmë se nuk duhet të kishte ardhur deri këtu. Prandaj ne e quajmë fitore të vogël, sepse prokurori ka kërkuar që ata të ndalohen”, tha Vllajiq.

Gjykatësi e mori vendimin pas intervistimit disa orësh të tre nga katër djemtë e rinj, që filloi rreth orës 14. 

Serbët e rinj akuzohen se kanë sulmuar një person zyrtar, ndërsa ishin arrestuar derisa ktheheshin nga festimi. 

Paraprakisht sot një grup i qytetarëve të përkatësisë serbe u tubuan para stacionit të policisë në Mitrovicën e Veriut në protestë për shkak të këtij arrestimi. 

Katër të rinjtë janë arrestuar nën dyshimin se kanë provokuar dhe sulmuar punonjësit e policisë. Familjarët e të arrestuarve thonë se ata janë keqtrajtuar gjatë arrestimit të tyre, gjë të cilën policia e Kosovës e ka mohuar.

Sipas mediave, tre nga katër të arrestuarit ishin nën ndikimin e alkoolit. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR