Armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit hyn në fuqi të dielën në ora 8:30 sipas kohës lokale
- Armëpushimi në Rripin e Gazës, të dakorduar nga Izraeli dhe Lëvizja palestineze Hamas duhet të hyjë në fuqi të dielën në mëngjes në ora 08:30 sipas kohës lokale, kumtuan autoritetet e Katarit, i cili ishte ndërmjetësues në arritjen e marrëveshjes për armëpushim.
- Post By Besnik Shuki
- 12:35, 18 janar, 2025
Kajro, 18 janar 2025 (MIA) - Armëpushimi në Rripin e Gazës, të dakorduar nga Izraeli dhe Lëvizja palestineze Hamas duhet të hyjë në fuqi të dielën në mëngjes në ora 08:30 sipas kohës lokale, kumtuan autoritetet e Katarit, i cili ishte ndërmjetësues në arritjen e marrëveshjes për armëpushim.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit, po ashtu, dërguan apel deri te banorët e Rripit të Gazës "që të ndërmarrin masa për kujdes dhe të presin rekomandime nga burime zyrtare".
Qeveria e koalicionit e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu mbrëmë pas mesnate e miratoi marrëveshjen për armëpushim me Hamasin dhe lirimin e pengjëve të mbajtur në Rripin e Gazës në këmbim për të burgosur palestinezë, pasi paraprakisht u miratua edhe nga Kabineti i sigurisë.
"Qeveria e miratoi planin për lirimin e pengjëve. Plani do të hyjë në fuqi të dielën, 19 janar 2025", thuhet në kumtesën e Kabinetit të kryeministrit Netanjahu.
Këshilli i ministrave e miratoi planin edhe krahas kundërshtimit të ministrave ekstremë të djathtë.
Hamasi tanimë publikoi se i ka pranuar kushtet e marrëvehsjes dhe obligohet që t'i respektojë.
Sipas asaj që u dakordua, armëpushimi duhet të fillojë nesër.
Marrëveshja në tre faza parashikon ndërprerje fillestare gjashtëjavore të luftimeve, të cilat e shkatërruan Rripin e Gazës në 15 muajt e fundit, me ç'rast, sipas autoriteteve shëndetësore të Hamasit, jetën e kanë humbur më shumë se 46.000 njerëz në territorin palestinez.
Gjatë kësaj faze të parë, Hamasi duhet të lirojë 33 pengj, të cilët i mban në Gazë, ndërsa Izraeli duhet t'i lirojë të burgosurit palestinezë, të cilët mbahen në burgjet e tij.
Të dielën pritet të lirohen pengjët e parë.
Marrëveshja është arritur pas disa negociatave disamujore indirekte me ndërmjetësim të Katarit dhe SHBA-së. bsh/
Foto: EPA