Ademi: Kërkojmë hetim për veprimtarinë e organeve të sigurisë nga viti 1945 e këtej dhe verifikimin e origjinës së pronës të të gjithë bartësve të funksioneve publike
- Sot jemi këtu për të ritheksuar dhe përforcuar qëndrimin e palëkundur të Bashkimit Demokratik për Integrim se procesi i vetingut është i domosdoshëm dhe jetik për të ndërtuar besimin e qytetarëve në drejtësi, institucione dhe shtet.
- Post By Fami Bajrami
- 12:33, 29 korrik, 2025
Shkup, 29 korrik 2025
Sot jemi këtu për të ritheksuar dhe përforcuar qëndrimin e palëkundur të Bashkimit Demokratik për Integrim se procesi i vetingut është i domosdoshëm dhe jetik për të ndërtuar besimin e qytetarëve në drejtësi, institucione dhe shtet.
Qëndrimi ynë është i qartë dhe i pandryshueshëm:
• U bëjmë thirrje, të gjitha partive politike parlamentare që të mbështesin propozim-ligjin e BDI-së për veting me mbikqyrje ndërkombëtare, një proces gjithëpërfshirës dhe i pakompromis, që do të rikthejë besimin e qytetarëve në drejtësi dhe institucione.
• Ritheksojmë vendimin tonë të kahershëm për hetim ndaj të gjitha partive politike, pa përjashtim, për periudhën e 33 viteve të fundit.
• Kërkojmë verifikimin dhe kontrollin e prejardhjes së pasurisë për të gjithë bartësit e funksioneve publike në 33 vitet e fundit: ministra, deputetë, kryetarë komunash, drejtorë, gjyqtarë, prokurorë – të gjithë, pa asnjë dallim;
• Ritheksojmë nevojën për hetim të thelluar të procesit të privatizimit, që në shumë raste shërbeu si bazë për krijimin e oligarkëve të paprekshëm. Ky kapitull i errët nuk mund të mbetet i pazbardhur. Drejtësia nuk matet me deklarata, por me vendime konkrete.
• Kërkojmë poashtu hetim për veprimtarinë e organeve të sigurisë së shtetit dhe për funksionarët në sigurim të shtetit që kanë punuar nga viti 1945 e këtej, si OZNA, UDB-ja, SDB-ja, DBK-ja, UBK-ja, ANB-ja.
Ky nuk është vetëm një projekt politik, e as kërkesë e kahershme e BDI-së, por është kusht për drejtësi dhe për një të ardhme më të ndershme për të gjithë.Ndaj, sot, nga këtu:
• U bëjmë thirrje të gjitha partitë politike në vend që të ndjekin shembullin e BDI-së: Të kërkojnë zyrtarisht nga Prokuroria Publike hetim dhe veting për çdo funksionar të vetin, në çdo nivel të funksionit publik. Nëse nuk kanë çfarë të fshehin, le ta dëshmojnë!
• Dhe po ashtu, u bëjmë thirrje edhe atyre që sot janë në pushtet e që heshtin, që të kërkojnë nga kryeministri që ti bashkëngjitet menjëherë nismës së BDI-së për veting të plotë. Heshtja ndaj kësaj çështjeje është bashkëpërgjegjësi për rrënimin e kredibilitetit të institucioneve.
Ne nuk kemi ardhur në politikë për të heshtur përballë padrejtësisë dhe temave me rëndësi jetike për vendin.
Sado që ka kundërshtime, Vetingu do të ndodhë.
Arbër Ademi, Bashkimi Demokratik për Integrim
______________________________________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.