• e hënë, 23 dhjetor 2024

Antikorrupsioni e miratoi Raportin për punën për vitin 2022

Antikorrupsioni e miratoi Raportin për punën për vitin 2022

Shkup, 30 mars 2023 (MIA) - Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit (KSHPK) në seancën e sotme të 84-të të mbajtur përmes platformës "Zum" i miratoi Raportin vjetor për punën e Komisionit për vitin 2022 dhe Raportin vjetor për zbatimin e Strategjisë nacionale për parandalim të korrupsionit dhe konfliktet e interesit 2021-2025, për vitin 2022.

Anëtarja e Komisionit, Katica Nikollovska duke e prezantuar Raportin theksoi se KSHPK-ja për vitin 2022 theksoi se janë mbajur 21 seanca. Numri i të punësuarve është 48 persona nga 64 punësime të planifikuara. Janë realizuar 12 punësime, nga të cilat 10 janë të reja dhe dy persona nga stafi ekzistues janë avancuar. Gjashtë janë nëpunës administrativë të punësuar me konkurs nëpërmjet rekrutimit të përhershëm, dy prej të cilëve me kërkesën e tyre u është ndërprerë marrëdhënia e punës.

Sipas statistikave, në lidhje me Strategjinë Kombëtare, nga 162 aktivitete të planifikuara, janë realizuar vetëm 17 ose 10 për qind, çka, thotë, flet për angazhimin e pamjaftueshëm të institucioneve për realizimin në kohë të aktiviteteve të caktuara.

Sa i përket kallëzimeve nga shtetas të njohur dhe anonimë, persona fizikë dhe juridikë, në vitin 2022 në sektorin e korrupsionit janë pranuar 563 kallëzime, 20 me iniciativë personale, janë marrë 509 vendime. Në fushën e konfliktit të interesit kanë marrë 118 kallëzime, 27 me iniciativë personale, janë marrë 161 vendime. Në fushën e inspektimit të fletëve anketuese për të dhënat për gjendjen pasurore janë pranuar 17 raporte, me iniciativë personale 80 dhe janë marrë 372 vendime. Janë pranuar gjithsej 698 kallëzime, 127 me iniciativë personale dhe janë marrë 1056 vendime, ndërsa shumica prej tyre ose 64 për qind kanë të bëjnë me korrupsionin, 16 për qind me konflikt interesi dhe 10 për qind me opinione të dhëna për gjendjen e konfliktit të interesit.

Në Prokurorinë Themelore Publike janë dorëzuar 12 raporte, tha Nikollovska dhe theksoi se komunikimi me Prokurorinë është përmirësuar në lidhje me iniciativat e parashtruara nga Antikorrupsioni.

Ajo ndër të tjera, paralajmëroi se nga prilli do të vendoset në funksion dhe zgjidhje softuere për parashtrimin elektronik të listave anketuese për gjendjen pronësore të personave të zgjedhur dhe të emëruar.

Nikollovska informon se në vitin 2022 janë lëshuar 4.423 urdhërpagesa për kundërvajtje në bazë të parashtrimit të parakohshëm të pyetësorëve me marrjen në detyrë të personave të zgjedhur dhe të emëruar (2.836), pas përfundimit të detyrës (1.306) dhe me ndryshimin e gjendjes pasurore (281), me çka janë grumbulluar 2.430.400 denarë, gjegjësisht 38.000 euro, të cilat janë derdhur në buxhetin e shtetit.

Kryetarja e Komisionit, Biljana Ivanovska, në pjesën për punësim, theksoi se i kanë rritur resurset njerëzore për 130 për qind, por se ka nevojë për punësime të reja. Plani përfshin pesë punësime të reja dhe dy gradime në gjysmën e dytë të vitit, për të cilat do të sigurohen para nga ribalancimi i Buxhetit

Anëtarët e Komisionit shprehen të kënaqur me punën e bërë në vitin 2022, kur KSHPK-ja shënoi dy dekada funksionimi. Raporti duhet të dorëzohet nesër në Kuvend.

Antikorrupsionistët shprehën shpresën se Kuvendi nuk do ta lërë të shqyrtohet Raporti vitin e ardhshëm, duke pasur parasysh se sot deputetët po shqyrtojnë Raportin e KSHPK-së për vitin 2021.

Në lidhje me raportin vjetor për zbatimin e Strategjisë kombëtare për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit 2021-2025, për vitin 2022, e prezantoi kryetarja e KSHPK-së Ivanovska, e cila shprehu keqardhjen që vetëm 10 për qind e rekomandimeve të tyre janë zbatuar nga institucionet, që paraqet një rënie në krahasim me vitin 2021 kur kjo përqindje është 20 për qind.

Për realizimin sa më të mirë të aktiviteteve të Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit, u paralajmërua nisja e një seance dëgjimore mbikëqyrëse në Kuvend dhe u propozua si masë që të evidentohen publikisht ato institucione që nuk përmbushin aktivitetet.

Komisioni për antikorrupsion paralajmëroi se nesër do ta vazhdojë seancën e 84-të. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR