• e hënë, 23 dhjetor 2024

Anketa e Rojters/Ipsos: Rejtingu i Bajdenit vazhdon të bie për shkak të problemeve ekonomike në SHBA

Anketa e Rojters/Ipsos: Rejtingu i Bajdenit vazhdon të bie për shkak të problemeve ekonomike në SHBA

Uashington, 19 prill 2023 (MIA) – Amerikanët gjatë muajit prill kanë pasur vetëm 39 për qind besim në punën e presidentit amerikan Xho Bajden, me çka ai iu afrua nivelit më të ulët pasi e ndërmori funksionin në vitin 2021, transmetoi Rojters.

Rezultatet e anketës së Rojters/Ipsos, të zbatuar nga 14 deri më 16 prill, tregojnë ulje të vogël të besimit lidhur me muajin e kaluar, kur 42 për qind e të anketuarve deklaruan se i miratojnë politikat e Bajdenit si president.

Popullariteti i tij ra thuajse menjëherë pasi e ndërmori funksionin në janar të vitit 2021. Ulja më e madhe e rejtingut të tij ishte nga mesi i vitit të kaluar, kur vetëm 36 për qind e të anketuarve deklaruan se e mbështesin. Që atëherë, përqindja e të anketuarve të cilët shprehin qëndrim të favorshëm për Bajdenin mbeti afërsisht i njëjtë.

Presidenti amerikan të premten e kaluar paralajmëroi se dëshiron të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, të cilat do të mbahen vitin e ardhshëm, por akoma zyrtarisht nuk e ka filluar fushatën e tij.

Nuk pritet ai të ketë konkurrencë serioze rreth nominimit midis demokratëve, por edhe rejtingu i tij edhe më tej mbetet i ulët, sipas standardeve politike.

Në pjesën më të madhe të mandatit të tij presidencial, që zgjati nga viti 2017 deri në vitin 2021, Donald Tramp, gjithashtu, gëzonte nivel relativisht të ngjashëm të besimit publik në punë. Përqindjen më të vogël e ka shënuar në dhjetor të vitit 2017, kur vetëm 33 për qind e të anketuarve kanë dhënë vlerësim pozitiv për punën e tij.

Të anketuarit në anketën e fundit të Rojters/Ipsos zakonisht tregojnë se problemi më i madh për SHBA-në është ekonomia, me çka çdo i anketuar i pestë e ndan qëndrimin e njëjtë. Një në dhjetë të anketuar e shikon krimin dhe mjedisin jetësor si problem kryesor në SHBA.

Anketa e Rojters/Ipsos u zbatua mbi një ekzemplar reprezentativ prej 1.029 amerikanë të rritur.

QËNDRONI TË LIDHUR