Anketa e huadhënies bankare në EQLJL tregon tendencë pozitive në kërkesën për kredi dhe shenja të përmirësimit të ofertës
- Bankat në Evropën Qendrore dhe Juglindore (EQLJL) raportojnë tendenca përmirësimi. Kërkesa për kredi mbetet e fortë, veçanërisht nga kompanitë, ndërsa bankat parashikojnë një përmirësim të lehtë në ofertën e kredisë pas një periudhe tkurrjeje.
- Post By Besnik Shuki
- 15:04, 14 janar, 2026
Shkup, 14 janar 2026
· Kërkesa për kredi mbeti e fortë, e nxitur nga kompanitë, dhe pritet të mbetet e fortë
· Bankat janë gjithnjë e më optimiste për ofertën e kredive në muajt në vijim.
· Dy të tretat e grupeve bankare ndërkufitare planifikojnë të zgjerojnë operacionet në rajon.
Bankat në Evropën Qendrore dhe Juglindore (EQLJL) raportojnë tendenca përmirësimi. Kërkesa për kredi mbetet e fortë, veçanërisht nga kompanitë, ndërsa bankat parashikojnë një përmirësim të lehtë në ofertën e kredisë pas një periudhe tkurrjeje. Predispozita për huadhënie nga bankat pritet të rritet, veçanërisht për NVM-të dhe kredinë konsumatore, megjithëse bankat tregojnë gatishmëri më të kufizuar për të zgjeruar kredinë për kompanitë e mëdha dhe për hipotekat. Një besim i tillë në rritje rreth ofertës së kredisë mund të ndihmojë në ngushtimin e hendekut ofertë-kërkesë që ka vazhduar vitet e fundit, për shkak të kërkesës së fortë për kredi dhe ofertës më të kufizuar.
Anketa e kreditimit bankar e EQLJL-së për gjysmën e dytë të vitit 2025, e kryer nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe e prezantuar në Forumin EQL 2026 në Vjenë, tregon se dy të tretat e grupeve bankare ndërkufitare të anketuara në lidhje me planet e ardhshme afatgjata synojnë të zgjerojnë operacionet e tyre. Në Maqedoninë e Veriut, kërkesa për kredi ka vazhduar të zgjerohet fuqishëm dhe kushtet e ofertës janë përmirësuar gjithashtu për shkak të kushteve të favorshme të financimit. Në gjashtë muajt e ardhshëm, kërkesa pritet të ulet ngadalë dhe oferta pritet të mbetet neutrale.
“Anketa e fundit konfirmon qëndrueshmërinë dhe potencialin e fortë të sektorit bankar në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore”, u shpreh Marek Mora, zëvendëspresident i BEI-t. “Kërkesa për kredi mbetet e fortë, kushtet e ofertës po tregojnë shenja përmirësimi dhe cilësia e kredive ka vazhduar të përparojë gjatë gjashtë muajve të fundit. Këto tendenca janë shumë inkurajuese për investimet dhe zhvillimin ekonomik në rajon. Dy të tretat e bankave të pranishme në rajon po planifikojnë të rrisin ekspozimin e tyre afatgjatë atje. Kjo është një shenjë e shkëlqyer e potencialit për rritje në EQLJL-së. BEI plotëson përpjekjet e bankave tregtare dhe do të vazhdojë të kontribuojë, duke adresuar mangësitë e tregut dhe prioritetet e politikave të BE-së.“
Potenciali i tregut në rajonin e EQLJL-së konsiderohet gjerësisht si i rëndësishëm, ku shumica e bankave të anketuara e vlerësojnë atë si të lartë - veçanërisht në vende si Çekia, Rumania dhe Sllovakia - ose mesatar, kryesisht në tregjet e Ballkanit Perëndimor. Rentabiliteti në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore mbetet gjithashtu i fortë krahasuar me operacionet e përgjithshme të grupit, e karakterizuar nga një performancë veçanërisht të fortë në Bosnjë-Hercegovinë, Bullgari, Çeki, Hungari, *Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Debora Revoltella, shefe e Departamentit të Ekonomisë në BEI, , u shpreh: “Këto rezultate nxjerrin në pah tendenca shumë pozitive të kreditimit për bankat që operojnë në zonën e EQLJL-së, të cilat po përfitojnë nga performanca e fortë e sektorëve bankarë globalë dhe evropianë. Megjithatë, faktorë të ndryshëm - si vendas ashtu edhe ndërkombëtarë, veçanërisht zhvillimet rregullatore - vazhdojnë të peshojnë në kushtet e ofertës së kreditimit në rajon.”
Për më tepër, aksesi në financim në EQLJL si për grupet bankare ndërkufitare ashtu edhe për degët e tyre ka mbetur i fortë gjatë gjashtë muajve të fundit dhe pritet të përmirësohet më tej. Kjo perspektivë pozitive mbështetet nga rritja e depozitave me pakicë dhe të korporatave dhe aksesi i vazhdueshëm në financim nga institucionet financiare ndërkombëtare (IFN), siç është BEI.
Cilësia e kredive ka vazhduar të përmirësohet gjatë gjashtë muajve të fundit, me më pak kredi të këqija të raportuara. Këto fitime kanë qenë veçanërisht të forta në segmentin e shitjes me pakicë dhe në sektorin e korporatave. Pavarësisht këtyre zhvillimeve pozitive, bankat mbeten të kujdesshme për gjashtë muajt e ardhshëm, duke parashikuar një përkeqësim të mundshëm të cilësisë së kredisë.
......................................................
Të dhëna bazë
Banka Evropiane e Investimeve (BEI) është institucioni huadhënës afatgjatë i Bashkimit Evropian, në pronësi të shteteve të tij anëtare. Ngritur rreth tetë prioriteteve kryesore, ne financojmë investime që kontribuojnë në objektivat e politikave të BE-së duke forcuar masat për klimën dhe mjedisin, digjitalizimin dhe inovacionin teknologjik, sigurinë dhe mbrojtjen, kohezionin, bujqësinë dhe bioekonominë, infrastrukturën sociale, unionin e tregjeve të kapitalit dhe një Evropë më të fortë në një botë më paqësore dhe të begatë.
Grupi i BEI-t, i cili përfshin gjithashtu Fondin Evropian të Investimeve (FEI), nënshkroi financime të reja me vlerë rreth 89 miliardë EUR për mbi 900 projekte me ndikim të lartë në vitin 2024, duke rritur konkurrencën dhe sigurinë e Evropës.
Foto me cilësi të lartë, të përditësuara të selisë sonë për përdorim mediatik ofrohen këtu.
Anketa e Kreditimit Bankar në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJL) kryhet dy herë në vit nga Banka Evropiane e Investimeve, dhe mbulon 12 grupe bankare ndërkombëtare dhe 65 degë lokale ose banka lokale të pavarura. Së bashku, ato përbëjnë më shumë se 50% të aseteve bankare në shumicën e vendeve të EQLJL-së.
Foto: BEI
_____________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.