• e hënë, 23 dhjetor 2024

Anketa e BEI-së për bankat e EQLJ-së zbulon një fuqizim të sektorit bankar dhe pritshmëri për rritje të shëndetshme kreditore

Anketa e BEI-së për bankat e EQLJ-së zbulon një fuqizim të sektorit bankar dhe pritshmëri për rritje të shëndetshme kreditore

Shkup, 26 qershor 2024 (MIA) - Bankat presin kërkesë të rritur nga klientët për hua në të gjitha kategoritë, me ç'rast pritet kërkesa për hipoteka të shënojë rritje më të fortë, ndërsa investimet korporative të rimëkëmben pas një periudhe me rritje të ngadaltë, tregon anketa për kreditim të bankave nga Evropa Qendrore, Lindore dhe Juglindore e bërë nga Banka Evropiane për Investime.

"Shtrëngimi i ofertës së kredive në fillim të vitit 2022 i shkaktuar nga konflikti në Ukrainë, inflacioni dhe normat më të larta të interesit pritet të përfundojë së shpejti me përmirësime të forta në të gjitha segmentet, veçanërisht te hipotekat dhe huatë konsumatore", citohet në kumtesën e BEI-së.

Bankat në rajon i kanë theksuar përmirësimet në perspektivën e tregut dhe kushtet më të mira për financim si faktorë që kontribuojnë për lehtësimin e standardeve kreditore, duke e sinjalizuar gatishmërinë e rritur të miratojnë kredi për klientët e tyre. Pas rënies vitin  e kaluar, parashikohet që këtë vit norma e huave jofunksionale të vazhdojë të ulet në vende të ndryshme të EQLJ-së.

"Perspektiva pozitive e pasqyruar në vrojtimin e kreditimit të bankave të EQLJ-së është një shenjë inkurajuese për zhvillimin ekonomik të rajonit. Ndërsa sektori bankar forcohet, ne presim të shohim progres të vazhdueshëm në konvergjencën ekonomike të rajonit dhe rritjen e investimeve, krijimin e vendeve të punës dhe standarde më të mira jetese në të gjithë Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore", thotë zëvendëskryetari i BEI-së, Kirijakos Kakuris.

Sipas drejtoreshës për ekonomi në BEI, Debora Revoltela, anketa për kreditim të bankave nga EQJL zbulon përforcim të sektorit bankar dhe pritje për rritje të shëndetshme kredituese në të gjithë rajonin.

Anketa e BEI-së ofron një analizë të thellë të dinamikës së kreditimit dhe zhvillimit të sektorit bankar në 12 vende të rajonit. Anketa tregon një perspektivë pozitive për kreditimin në muajt në vijim, duke mbuluar 70 filiale dhe banka vendase, si dhe 12 grupe bankare ndërkombëtare. sa/

Foto: BEI

QËNDRONI TË LIDHUR