• e hënë, 23 dhjetor 2024

Anketë: Serbia vendi më miqësor, SHBA me kontributin më të madh në demokraci, ndërsa BE-ja në zhvillimin ekonomik

Anketë: Serbia vendi më miqësor, SHBA me kontributin më të madh në demokraci, ndërsa BE-ja në zhvillimin ekonomik

Shkup, 25 maj 2023 (MIA) - Serbia perceptohet me 45,3 për qind si shteti më miqësor nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut, SHBA-ja është numër 1 për sa i përket kontributit në zhvillimin demokratik të vendit, ndërsa BE-ja është e para për sa i përket kontributit në zhvillimin ekonomik, tregojnë rezultatet fillestare nga anketa e Institutit PRESPA në periudhën prill - maj, të realizuar në 1.500 të anketuar.

Sipas konkluzioneve fillestare, Serbia perceptohet si "mikja më e madhe", kriteret më të rëndësishme janë vlerat dhe “interesat e përbashkëta”, jo demokracia apo ekonomia. SHBA, BE dhe Serbia kontribuan më së shumti në zhvillimin demokratik. Për zhvillimin ekonomik më së shumti kontribuan BE-ja, Serbia dhe SHBA-ja, kultura, feja dhe tradita janë vlerat më të rëndësishme për të gjitha grupmoshat, ndërsa marrëdhëniet me fqinjët nuk janë as të mira, e as të këqija.

"Anketa na tregon se Serbia është mikja më e njohur e vendit tonë (krahasuar me 14 për qind në 2020 dhe 38,6 për qind në 2022). Kriteri më i rëndësishëm për qytetarët tanë se kush është mik apo jo janë interesat dhe vlerat e përbashkëta, por jo deri në atë masë kontributi demokratik apo ekonomia dhe bashkëpunimi që kemi me atë vend", thotë Ivana Jordanovska nga ekipi që ka realizuar hulumtimin.

Në pyetjen, në përgjithësi, cili shtet apo aleancë/union ndërkombëtar është miku më i madh i Maqedonisë së Veriut, pas Serbisë, sipas anketës, vendi i radhës më i njohur si mik është Kosova me 9 për qind, SHBA 6,8 dhe e katërta është Turqia me 6,7 për qind. Shqipëria konsiderohet vend mik nga 5,6 për qind e të anketuarve, BE me 5,1 për qind, Gjermania me 1,5, ndërsa NATO nga 1,1 për qind e të anketuarve.

Nga rajoni, Greqia dhe Mali i Zi kanë 0,5 për qind, ndërsa për Bullgarinë janë deklaruar 0,2 për qind të të anketuarve, aq sa janë deklaruar edhe për Kinën. Rusia u zgjodh nga 1,1 për qind e të anketuarve. Gjithsej 10,3 nga të anketuarit thanë se nuk e perceptojnë asnjë vend si miqësor, ndërsa 3,2 për qind janë përgjigjur se nuk e dinë.

 

Për arsyen e këtij trendi në Serbi, Andreja Stojkovski nga Instituti i Prespës thotë se kjo është për shkak të masave për krizën e kovid-it dhe mbi të gjitha për çështjen e zgjidhjes së kontestit kishtar KOS-KOM. Nga ana tjetër, rënien më të madhe e kanë shënuar BE-ja me 1,5 për qind (në vitin 2020 kanë pasur mbështetjen e 16,7 të anketuarve dhe në vitin 2022 7,8 për qind) dhe Gjermania me 1,5 për qind (në vitin 2020 12,4 dhe në 2022 5.9)

"Për sa i përket asaj që na tha eksperimenti me letër, gjëja më e rëndësishme ishte se tani për tani ne e dimë që qytetarët do të klikonin më së shumti në lajme pozitive për Rusinë, lajme pozitive ose negative për BE-në, lajme të frikshme për vaksinat dhe do të besonin në lajmet negative për BE-në", thotë Jordanovska.

Nga të dhënat e tjera, disa janë më inkurajuese se të tjerat, kështu që, shton ajo, e pyetur se si i vlerësoni marrëdhëniet tuaja me fqinjët në një shkallë nga 1 në 5, ku 1 është e keqe dhe 5 është e mirë, numri më i madh i ka vlerësuar me 3.

Sa i përket asaj se kush ka kontribuar më shumë në zhvillimin ekonomik të vendit, më të dalluarit janë BE-ja me 21,2 për qind, Serbia me 15,9 dhe në vendin e tretë është SHBA-ja me 15,6 për qind.

"Krahasuar me të dhënat e vitit të kaluar, ku Gjermania ishte partneri i dytë apo i tretë për sa i përket ekonomisë dhe zhvillimit demokratik, këtë trend nuk e vërejmë këtë vit. Gjermania ka rënë për 2,7 për qind në kontributin në zhvillimin demokratik, ndërsa në aspektin ekonomik ka 10,7 për qind për dallim nga 26,8 për qind vitin e kaluar", thotë Jordanovska.

Në pyetjen se me cilin shtet apo aleancë/union ndërkombëtar, Maqedonia e Veriut ndan më shumë vlera apo interesa dhe si rrjedhojë duhet të ketë marrëdhëniet më të ngushta, 62,8 janë përgjigjur se është Serbia, e ndjekur nga Shqipëria me 14,9 për qind dhe Kosova me 2,8 për qind. Në të njëjtën kohë, 3,1 janë përgjigjur asnjë, ndërsa 5,8 nuk e di. Për sa i përket atyre vlerave dhe interesave, përqindja më e madhe ka theksuar kulturën, fenë dhe traditën, historinë dhe më pas zhvillimin ekonomik.

Për 61 për qind të të anketuarve, anëtarësimi në BE është alternativa më e mirë për vendin, 34 për qind që duhet të kërkojmë një alternativë tjetër. Përse BE-ja është alternativa më e mirë, për numrin më të madh të tyre, gati 90 për qind, është zhvillimi ekonomik dhe vendet e reja të punës, pasuar nga sundimi i ligjit, respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe antikorrupsioni.

Lidhur me atë se pse duhet të kërkojmë një alternativë tjetër për 49 për qind të të anketuarve, është se do ta në ndryshojnë historinë dhe identitetin, për 41 për qind humbim më shumë se sa fitojmë, për 32 për qind kemi vlera të ndryshme me BE-në dhe për 29 për qind se do të humbasim gjuhën tonë.

Për sa i përket informimit për çështjet në fushën e politikës së jashtme dhe integrimeve evropiane, shumica e të anketuarve janë përgjigjur se janë të informuar përmes TV (48 për qind), 23,3 për qind nga rrjetet sociale, 18,5 për qind nga portalet e internetit, 1,6 për qind nga shtypi dhe 2,2 për qind nga interneti.

Dy të tretat besojnë se lajmet që marrin nga mediat nuk janë as të vërteta dhe as të rreme.

Besimin më të madh e kanë në Sitel me 19,8 për qind të të anketuarve, pasuar nga Kanal 5 me 12,9 për qind, Alsat 12,4 për qind, Alfa 7,1 për qind, Telma 6,9 për qind, MTV 6,7 për qind, 24 Vesti 5, 1 për qind, TV lokale 2,4 për qind dhe TV 21 me 2 për qind. ls/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR