• e diel, 22 dhjetor 2024

Angellovska-Bezhoska: Ballkani Perëndimor ka BPV më të ulët për 18 për qind shkaku i përfshirjes më të vogël të grave

Angellovska-Bezhoska: Ballkani Perëndimor ka BPV më të ulët për 18 për qind shkaku i përfshirjes më të vogël të grave

Shkup, 11 shkurt 2024 (MIA) - Involvimi i ulët e grave në shoqëri nuk do të thotë humbje vetëm për vetë gratë, por humbje për të gjithë shoqërinë. Konform analizës së Bankës Botërore, ekonomitë në rajonin e Ballkanit Perëndimor humbin mesatarisht 18 për qind të BPV-së për shkak të përfshirjes më të ulët të grave në ekonomi, ka thënë guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska.

Ajo në intervistën për “Blumberg Adria” ka thënë se shkalla e aktivitetit të grave në rajonin e Ballkanit Perëndimor është mesatarisht rreth 45 për qind, ndërsa në BE kjo normë është rreth 70 për qind. Te ne, siç tha ajo, të dhënat janë të ngjashme, me shkallën e aktivitetit të grave nga rreth 45 deri në 46 për qind, për dallim nga shkalla e aktivitetit të meshkujve që është rreth 65 për qind.

"Jo vetëm që gratë janë më pak të përfshira në tregun e punës, por edhe ato që janë të përfshira janë më pak të përfaqësuara në strukturat udhëheqëse në sektorin e korporatave, sektorin publik etj. Nëse shikojmë të dhënat e fundit të publikuara në bursë, pjesëmarrja e grave në strukturat drejtuese, në kompanitë në vitin 2023 është rreth 23 për qind që është numër relativisht i vogël”, ka thënë guvernatorja.

Guvernatorja ka thënë se në vendin tonë pjesëmarrja e popullsisë së aftë për punë në totalin e popullsisë ndër vite po zvogëlohet, që tregon se ka problem strukturor me mungesën e potencialit njerëzor që është një nga faktorët kyç të rritjes. Nga ana tjetër, siç shton ajo, ka potencial të madh te femrat që nuk janë aktive. Që andej duhet të ndërmerren politika për aktivizimin e tyre në tregun e punës.

Sipas Angellovska-Bezhoskës që të përmirësohen situatat, nevojitet një qasje në krijimin e politikave që do të përmirësojnë pjesëmarrjen sasiore dhe cilësore të grave në fuqinë punëtore, duke kontribuar kësisoj në rritjen ekonomike dhe përmirësimin e standardit të jetesës.

"Banka Popullore në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të punojë në drejtim të përfshirjes më të madhe financiare të grave”, nënvizon mes tjerash guvernatorja.

Foto: Banka Popullore

 

QËNDRONI TË LIDHUR