• e premte, 05 dhjetor 2025

Angellov: Deri në orën 13:30 janë regjistruar 16 zjarre në ambient të hapur, tetë prej tyre janë aktive

Angellov: Deri në orën 13:30 janë regjistruar 16 zjarre në ambient të hapur, tetë prej tyre janë aktive

Shkup, 27 korrik 2025 (MIA) - Deri në orën 13:30 të ditës së sotme, në territorin e vendit janë regjistruar gjithsej 16 zjarre në ambient të hapur nga të cilat tetë janë aktive, gjashtë janë nën kontroll dhe dy janë shuar plotësisht.

Siç informon drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Stojançe Angellov më kompleks është zjarri në malin Goten.

"Zjarri më serioz dhe kompleks me të cilin po përballemi për momentin është ai në malin Goten i cili ndodhet midis komunave Radovish, Vasilevë dhe Berovë", deklaroi ai në konferencën për shtyp.

Ai tha se në anën e Radovishit, zjarri është i dukshëm nga rruga Strumicë-Radovish që nga mëngjesi i sotëm duke shkaktuar shqetësim tek popullata lokale.

Shtoi se zjarri po përhapet drejt zonave të populluara, ndërsa gjatë ditës së sotme pritet që potencialisht t'i afrohet fshatit Jargulicë, varësisht nga drejtimi i erës.

Janë angazhuar dy helikopterë të MPB0-së: lloji Bell 412 dhe Bell 212 dhe janë aktivë nga mëngjesi i hershëm deri pasdite.

Shtatë Pinc- gauerë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, tre "hermelinë" dhe 2 BTR janë përforcime të planifikuara gjatë ditës, 50 pjesëtarë të Armatës kanë qenë në terren që nga mëngjesi i sotëm. Gjithashtu ka edhe njësi zjarrfikëse nga Radovishi, pjesërisht nga Strumica dhe komunat përreth, si dhe vullnetarë nga fshatrat, gjuetarë të organizuar dhe banorë vendas, detyra kryesore e të cilëve është të mbrojnë fshatrat dhe pronat në rast të përhapjes së zjarrit.

Angellovi vlerësoi se të gjitha forcat dhe resurset janë të angazhuara në luftën kundër zjarrit në malin Goten i cili aktualisht është zjarri më aktiv dhe më i rrezikshëm në vend. Ai theksoi se po përgatiten njësi dhe mjete shtesë për hasjen e mundshme të zjarrit në drejtim të zonave të populluara.

"Duke pasur parasysh kushtet jo të favorshme të motit dhe mundësinë e kufizuara të reshjeve, situata ende konsiderohet kritike dhe kërkon mobilizim maksimal. Për momentin në territorin e vendit zhvillohet një luftë e gjerë dhe intensive kundër zjarreve aktive në disa vende. Janë angazhuar të gjitha forcat e mundshme - zjarrfikës, pjesëtarë të armatës, helikopterë, automjete për terren, vullnetarë - të gjithë po bëjnë përpjekje mbinjerëzore. Jemi të vetëdijshëm se për shumë qytetarë kjo është diçka e re, për disa tjerë për fat të keq - një përvojë që është parë, por e harruar prej kohësh. E kuptojmë se ndjenja e pasigurisë, frikës dhe shqetësimit është plotësisht e natyrshme, veçanërisht kur zjarri u afrohet shtëpive", deklaroi Angellovi.

Por, në këto momente, shtoi ai, gjëja më e rëndësishme është që të gjithë ta përballojmë sfidën së bashku, me durim dhe mirëkuptim.

Ai u bën thirrje të gjithë qytetarëve që t'u përmbahen udhëzimeve të shërbimeve në terren, të mos krijojnë panik apo presion të panevojshëm, të tregojnë durim, disiplinë dhe besim tek autoritetet dhe aty ku munden dhe është e sigurt - të ndihmojnë ose t'u bashkohen ekipeve vullnetare.

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR