• e martë, 18 mars 2025

Andovski: Gjendja e të lënduarve është relativisht stabile, në vend janë duke u trajtuar 89 pacientë, ndërsa 76 janë transportuar jashtë vendit (PLT)

Andovski: Gjendja e të lënduarve është relativisht stabile, në vend janë duke u trajtuar 89 pacientë, ndërsa 76 janë transportuar jashtë vendit (PLT)

Shkup, 18 mars 2025 (MIA) - Gjendja e të lënduarve nga zjarri në diskotekën në Koçan është relativisht stabile, por nuk mund të thuhet se si do të jetë situata më tej sepse është ende herët, tha sot zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andovski në deklaratën për media.

Në Kirurgjinë plastike ka 17 pacientë të hospitalizuar, në Toksikologji 13, Torakale 4, Traumatologji 2, Kirurgji pediatrike 4, KARMI 12, "Stara gradska" 12, Spitalin e përgjithshëm të qytetit “8 Shtatori” 18, Shtip 3, Pulmologji 2 ose gjithsej 89 pacientë në vend.

Gjithsej 76 pacientë janë transportuar për trajtim jashtë vendit. Të fundit mbrëmë janë transferuar në Kroaci, Slloveni dhe Vjenë nga dy dhe tre në Athinë.

Janë planifikuar më shumë transferime jashtë vendit. Në Vjenë, Poloni, Suedi, Holandë, Itali, Kroaci, Norvegji dhe Slloveni.

Kanë arrit mjekë nga disa vende të huaja. Mjekë nga Belgjika kanë qenë në terren dhe kanë bërë analiza ndaj të lënduarve me plagë më të rënda në Klinikën për anestezion, reanimacion dhe mjekim intensiv. Nga Izraeli kanë ardhur disa dhe presim edhe disa të tjerë, do të shpërndahen në Qendrën klinike “8 Shtatori”. Kanë arrit nga 6 mjekë edhe nga Çekia dhe nga AMU -Beograd.

Andov kumtoi se nga gjashtë pacientë në Ankara pesë prej të cilëve fillimisht ishin intubuar, tani janë ekstubuar që do të thotë se gjendja e tyre është përmirësuar.

Drejtori i Kirurgjisë digjestive, Ognen Kostovski, tha se për momentin nuk do të ketë lëshim të pacientëve. Edhe ata me lëndime të lehta do të mbahen për vëzhgim. Sepse pas 72 orësh, janë të mundshme komplikime.

Mjeku Andon Çibishev tha se në Klinikën e Toksikologjisë fillimisht janë pranuar 18 pacientë. Për shkak të përkeqësimit, katër janë transferuar në KARMI, ndërsa tre prej tyre do të transportohen jashtë vendit. Nga ata që kanë mbetur, katër kanë qenë në gjendje jo të kënaqshme, të tjerët kanë qenë në gjendje stabile.

"Duke qenë se bëhet fjalë për djegie të rrugëve të sipërme respiratore dhe helmim akut të rëndë me gaze të dëmshme, veçanërisht me monoksid karboni, presim të ketë komplikime në ditët në vijim. Megjithatë ne të gjithë jemi në dispozicion, kemi ekipe të përforcuara që kujdesen për pacientët dhe mendoj se gjithçka do të jetë në rregull, të shpresojmë se gjithçka do të jetë në rregull", theksoi Çibishev.

Lidhur me apelet që edhe të tjerët që kanë qenë në afërsi të diskotekës të paraqiten në mjek, ai tha se vijnë pacientë të tillë.

Drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski, tha se të gjithë pacientët përkujdesen në nivelin e duhur, monitorohen rregullisht, ndërsa ata që duhet të dërgohen jashtë vendit ka pasur oferta edhe nga vende të tjera evropiane.

Shefi i Traumatologjisë, Igor Merxhanovski, tha se ka pasur disa pacientë te të cilët ka pasur përkeqësim por nuk kanë qenë në gjendje të rëndë. Kanë qenë të planifikuar për transport në Slloveni, Poloni, Austri, Itali dhe Kroaci.

Foto dhe video: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR