Andonovski: Ministria e Transformimit Digjital është udhëheqëse në procesin e harmonizimit me Agjendën e Reformave, shënuar edhe nga KE-ja
- Ministria e Transformimit Digjital është udhëheqëse e procesit të harmonizimit me Agjendën e Reformave, shënuar edhe nga Raporti Evropian, theksoi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në panel-diskutimin e sotëm në Odën Ekonomike me temë: "Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Agjenda Kombëtare e Reformave – pse janë të rëndësishme për sektorin e biznesit?".
- Post By Qefsere Abduli
- 15:44, 10 nëntor, 2025
Shkup, 10 tetor 2025 (MIA) - Ministria e Transformimit Digjital është udhëheqëse e procesit të harmonizimit me Agjendën e Reformave, shënuar edhe nga Raporti Evropian, theksoi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në panel-diskutimin e sotëm në Odën Ekonomike me temë: "Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Agjenda Kombëtare e Reformave – pse janë të rëndësishme për sektorin e biznesit?".
Në fjalimin e tij, ministri Andonovski, theksoi se pikërisht reformat digjitale kanë kontribuar që Maqedonia e Veriut t’i përmbushë detyrimet në paketën e parë të Agjendës së Reformave.
Andonovski theksoi vlerësimin e Komisionit Evropian, sipas të cilit vendi ka arritur "përparim të dukshëm dhe të matshëm në sigurinë kibernetike, shërbimet digjitale dhe ndërveprueshmërinë", ndërsa Ministria e Transformimit Digjital është njohur si institucion që "siguron një bazë të qëndrueshme për zbatimin e shpejtë dhe të koordinuar të standardeve evropiane".
Ai kujtoi se gjatë vitit të kaluar Ministria ka realizuar reformat që ishin parakusht për hapjen e një hapësire të re financiare nga Plani për Rritje, ndër të cilat: Ligjin për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve të informacionit, i harmonizuar me NIS2; Ligjin për arkivën elektronike, Ligji për identifikimin elektronik dhe përmirësimet në Platformën kombëtare të ndërveprueshmërisë; si dhe shërbimet e reja digjitale përmes portalit uslugi.gov.mk.
Ministri theksoi se këto rezultate nuk janë hapa administrative, por përmirësime konkrete që e ulin barrën administrative për kompanitë, i shkurtojnë procedurat dhe krijojnë një nivel më të lartë parashikueshmërie në mjedisin e biznesit.
"Qëllimi ynë është të krijojmë një shtet digjital që u mundëson kompanive të punojnë më me efikasitet, me shpenzime më të ulëta dhe me kushte që i afrohen tregut të vetëm evropian", deklaroi Andonovski.
Ministri theksoi se Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor sjell mundësi për integrim ekonomik më të thellë, ndërsa komponenta digjitale është njëra nga më kryesoret.
Ngjarja u organizua nga Oda Ekonomike, ndërsa në panel morën pjesë përfaqësues nga sektori i biznesit, sektori civil, Ministria për Çështje Evropiane dhe Ministria e Transformimit Digjital. qa/
Foto: Ministria e Tranformimit Digjital