• e premte, 05 dhjetor 2025

Andonovski: Janë siguruar 120 shërbime të reja digjitale, 70 institucione të lidhura dhe Ligj i parë për siguri kibernetike

Andonovski: Janë siguruar 120 shërbime të reja digjitale, 70 institucione të lidhura dhe Ligj i parë për siguri kibernetike

Shkup, 3 korrik 2025 (MIA) - Gjithsej 120 shërbime digjitale të cilat tashmë i shfrytëzojnë mbi 170.000 qytetarë, mbi 70 institucione të lidhura përmes platformës së ndërveprimit, Strategjia e parë kombëtare për sigurinë kibernetike dhe katër ligje të reja, përfshirë ligjin e parë për sigurinë kibernetike, janë pjesë e aktiviteteve të realizuara nga Ministria e Transformimit Digjital të cilat i prezantoi ministri Stefan Andonovski pas një viti nga puna e ministrisë.

Në konferencën e sotme për mediat Andonovski theksoi se digjitalizimi nuk është vetëm ndryshim teknologjik, por reformë thelbësore e aparatit shtetëror. 

"Kjo ministri u krijua me një mandat të qartë, të udhëheqë transformimin digjital të Maqedonisë, jo si një flluskë teknologjike e vetëmjaftueshme, por si një prioritet kombëtar që do ta bëjë aparatin shtetëror më efikas, institucionet më të hapura, ndërsa shërbimet publike më të kapshme dhe më të sigurta për të gjithë qytetarët", tha ai. 

Ministri informoi se Ministria ka vendosur dhe funksionalizuar ndërveprueshmëri në më shumë se 70 institucione, ndërsa janë miratuar katër ligje të reja, të përshtatshme me rregulloret e BE-së, siç është Ligji për komunikime elektronike dhe Ligji i parë për siguri kibernetike, Ligji për veprimtarinë arkivore dhe Ligji për dokumentin elektronik. Po ashtu, është formuar edhe Sektori për sigurinë kibernetike në kuadër të të cilit pritet të funksionojë dhe Qendra qeveritare për përgjigje ndaj incidenteve (SOC).

Vëmendje të veçantë, siç theksoi ai, i kushtohet mbrojtjes së fëmijëve në hapësirën digjitale përmes projektit MKSafeNet.

"MKSafeNet do të jetë sistemi i parë kombëtar i integruar i këtij lloji i cili e vendos sigurinë e të rinjve në botën digjitale si prioritet të rangut më të lartë", tha ministri.

Përmes programit "21st Century Schools", ministri ndau se shkrimi dhe leximi digjital do të bëhet pjesë e mësimit të rregullt në të gjitha shkollat fillore.

"Projekti do të fillojë me përgatitjet gjatë verës së vitit 2025, përfshirë hartimin e materialeve mësimore dhe trajnime për mësuesit dhe profesorët, ndërsa realizimi praktik nëpër klasa pritet të fillojë në janar të vitit 2026. Aktivitetet do të realizohen në faza, duke filluar nga zonat rurale dhe duke u zgjeruar gradualisht në qendrat urbane, ku ekipi do të punojë në mënyrë të pasuar me shkollat – fillimisht duke trajnuar stafin mësimor dhe më pas duke kaluar në implementimin në mësim", tha ai duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve. 

Ai u ndal edhe te ndalesa e më shumë se 220 faqeve për lojëra të paligjshme onlajn, që siç tha "është rezultat konkret i analizës digjitale dhe ndjekjes së adresave IP dhe mekanizmave VPN". qa/

Foto: MTD


QËNDRONI TË LIDHUR