Analiza: Emërimi i u.d. drejtorëve shpesh është praktikë e rregullt në vend se në gjendje të jashtëzakonshme
- Vrimat juridike dhe paqartësitë në legjislacion si dhe autorizimet diskrecionale janë rrezik për integritetin dhe emërimin e bazuar në merita në pozita drejtuese në institucionet publike, u konstatua sot në tryezën e rrumbullakët ku u prezantua analiza "Pasqyrë e kornizës ligjore dhe praktikës në emërimin e drejtorëve dhe personave udhëheqës: sfidat dhe zgjidhjet e mundshme" nga studiuesi Misha Popoviq.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 19:39, 18 tetor, 2023
Shkup, 18 tetor 2023 (MIA) – Vrimat juridike dhe paqartësitë në legjislacion si dhe autorizimet diskrecionale janë rrezik për integritetin dhe emërimin e bazuar në merita në pozita drejtuese në institucionet publike, u konstatua sot në tryezën e rrumbullakët ku u prezantua analiza "Pasqyrë e kornizës ligjore dhe praktikës në emërimin e drejtorëve dhe personave udhëheqës: sfidat dhe zgjidhjet e mundshme" nga studiuesi Misha Popoviq.
Një nga problemet kryesore të vërejtura në analizë është emërimi i u.d. drejtorëve, i cili nuk përdoret vetëm në situata të jashtëzakonshme siç parashikohet, por është shumë më shpesh një zëvendësim i procesit të rregullt të emërimit. Sipas analizës, madje në 37 për qind të rasteve të përfshira me të, është bërë fjalë për emërimin e ushtruesve të detyrës (u.d.).
"Praktika tregon se përdorimi i ushtruesve të detyrës është ende i konsiderueshëm dhe madje në disa institucione vërehet se u.d. emërohen vazhdimisht, shmanget publikimi i shpalljes në të cilën parashikohet që të mund të marrin pjesë më shumë kandidatë. Ky është, në fakt, treguesi kryesor se konkurrenca dekurajohet nga kjo praktikë dhe madje edhe kur ka shpallje, aplikon vetëm një kandidat sepse njerëzit janë nën perceptimin se ky vend pune është i garantuar për kandidat të dëshirueshëm", deklaroi Popoviqi.
Lidhur me rregullativën ligjore, vërehet se shpesh nuk është mjaft mirë e rregulluar mënyra në të cilën zgjidhen drejtorët dhe ende nuk ka, tha ai, strukturë të mjaftueshme rregullash që do të sigurojnë që me të vërtetë të ketë transparencë dhe kërkesë për kandidatin më të mirë – në ndërmarrjet publike, shtëpitë shëndetësore dhe veçanërisht në shoqëritë tregtare në pronësi të plotë shtetërore, respektivisht kompanitë më të mëdha shtetërore.
Emërimi i u.d. drejtorëve, shtoi Popoviqi, është e drejtë diskrecionale që ka ekzistuar gjithmonë në menaxhimin e institucioneve, por theksoi se ekziston rregullativa që kërkon ata që marrin vendime ato edhe t'i arsyetojnë. Edhe Ligji për procedurë të përgjithshme dhe administrative, shton ai, kërkon që çdo vendim të ketë arsyetim.
"Por, ne këto arsyetime nuk i shohim në vendimet për emërim. Kemi vetëm konstatim se cilin person është emëruar. Të emëroni një u.d. nuk do të thotë vetëm ta vendosni. Duhet të arsyetoni, veçanërisht kur emëroni drejtor pa disa rrethana që me të vërtetë kërkojnë emërimin e u.d.. Këto janë rrethana që janë për të ardhur keq dhe të pafavorshme, për shembull vdekja – kur duhet të emëroni menjëherë dikë. Por, nëse doni të ndryshoni dikë, duhet të fillosh proces të shpalljes listimi sapo të emërosh u.d.. E në vetë vendimin për emërimin e ushtruesit të detyrës, ju duhet të arsyetoni pse e keni emëruar pikërisht atë person", theksoi Popoviqi.
Zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politikat e qeverisjes së mirë Sllavica Gërkovska tha se nëse bëhet fjalë për devijim sistemor, edhe zgjidhja duhet të jetë e tillë dhe nevojitet vullnet politik nga të gjitha palët dhe konsensus shoqëror.
"Gjetja e dobësive në kornizën juridike në këtë fushë duhet të çojë në reforma konkrete në drejtim të përmirësimit të transparencës dhe objektivitetit gjatë emërimeve, me qëllim që të forcohet besimi i qytetarëve te institucionet dhe sistemi në tërësi", tha Gërkovska.
Porositi se në pozita udhëheqëse duhet të jenë profesionistët dhe personat me të vërtetë cilësorë me integritet, duke shtuar se potenciali njerëzor është në bazën e politikave të qeverisjes së mirë dhe ato janë të mundshme vetëm "nëse kemi njerëzit e duhur në vendin e duhur". Nëse meritat dhe kualifikimet janë dytësore, ndërsa preferencat personale, forma të caktuara të presionit ose vetë konstelacioni politik në një periudhë të caktuar është faktor vendimtar në emërim, tha ajo, paqartësitë në legjislacionin duhet të tejkalohen.
"Duhet të krijojmë kushte dhe atmosferë në të cilën ata nuk do të privohen nga mundësia për të përparuar dhe udhëhequr institucionet, e jo t'i braktisin ose t'i konsiderojnë jotërheqëse për të punuar nga aspekti i zhvillimit të tyre profesional dhe në karrierë. Prandaj është me rëndësi vendosja e sistemit të fuqishëm të bazuar në merita. Në këtë mënyrë, sektori publik do të jetë në gjendje të tërheqë, por edhe të mbajë liderët kompetentë të cilët me udhëheqjen e tyre do të kontribuojnë në punën efektive dhe efikase të institucionit, ndërmarrjes, ose çfarëdo organizate", theksoi zëvendëskryeministrja Gërkovska.
Bëri të ditur se nga ky vit, kompetent për zgjedhje me shpallje publike u bë Komisioni për burime njerëzore dhe zhvillim të qëndrueshëm dhe për herë të parë filloi të praktikohet shpallja publike dhe intervistat për anëtarët e këshillave drejtuese dhe mbikëqyrëse në ndërmarrjet publike.
"Zgjidhjen e njëjtë e propozojmë tani kur përgatisim ligjin për shoqëritë tregtare", shtoi Gërkovska.
Analiza e prezantuar sot është përpiluar me mbështetjen e Fondacionit Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES) dhe përmban rekomandime që duhet të ndihmojnë Qeverinë për të ndërmarrë hapa që do të përmirësojnë sistemin.
Drejtoresha e IFES në vend, Joana Kosma, njoftoi se bëhej fjalë për ndihmë teknike për trupat dhe institucionet mbikëqyrëse, e në të njëjtën kohë edhe përmbushje të rekomandimeve dhe praktikave ndërkombëtare.
"Ngjarja e sotme është mundësi e shkëlqyer për të biseduar për shumë aspekte të rëndësishme që kanë të bëjnë me emërimin e pozicioneve drejtuese. Kjo është një temë që kërkon kontribut të madh dhe angazhim dhe përkushtim, shpresoj se do të ketë zgjidhje dhe përparim të zbatueshëm për boshllëqet e identifikuara gjatë viteve dhe ato të shënuara në këtë analizë. Kjo përfundimisht do të çojë në zhvillimin e një administrate publike që do të jetë kompetente, që do të bazohet në merita dhe që qytetarëve do t'u ofrojë shërbime në mënyrë profesionale dhe efikase, e me këtë do të rritet edhe besimi në qeverisjen e vendit", tha Kosma.
Foto: MIA