• e hënë, 23 dhjetor 2024

Anëtarët e “Grupit të zjarrit” do të veprojnë si fraksion në BDI

Anëtarët e “Grupit të zjarrit” do të veprojnë si fraksion në BDI

Tetovë, 1 prill 2023 (MIA)- Katër orë pas fillimit të mbledhjes së Kryesisë qendrore të BDI-së, një pjesë e anëtarëve të kësaj partie që njihen si "Grupi i zjarrit" kanë lëshuar mbledhjen dhe paralajmëruan se do të funksionojnë si fraksion në parti. Këtë sot para gazetarëve e bëri të ditur sekretari aktual organizativ i BDI-së, Blerim Bexheti.

"Sot përmes jush na lejoni që ta informojmë opinionin se dallimet janë të mëdha edhe në aspektin organizativ brenda BDI-së, por edhe debati rreth përcaktimeve programore, në bazë të së cilës fituam besimin e qytetarëve. Fatkeqësisht nuk kemi mundësi për debat të mirëfilltë dhe përdoren standarde të dyfishta apo të trefishta lidhur me çështje të caktuara dhe prandaj nga sot do të kemi qëndrimet tona sepse do të veprojmë si fraksion në kuadër të BDI-së", deklaroi për mediat Bexheti.

Ata konsiderojnë se ministrat aktual në Qeveri nga radhët e BDI-së kanë uzurpuar partinë me vendimet e tyre.

"Meqë kemi dallime, kemi mendime ndryshe për çështje të caktuara, do të kemi veprimin tonë politik sepse konsiderojmë se ministrat e kanë uzurpuar partinë me vendimet e tyre. Ajo që është kompetencë e partisë kalon në kompetencën e anëtarëve të Qeverisë dhe këtu të jemi të qartë, nuk janë vetëm çështjet kadrovike, ato janë relevante dhe domethënëse, por flasim për përcaktimet programore të BDI-së", ka thënë Bexheti.

Në pyetjen e gazetarëve nëse edhe më tej do të jenë pjesë e organeve të partisë, tha se është zgjedhur organ tjetër partiak dhe se nuk janë shkarkuar.

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR