Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në RMV e vizitoi Universitetin e Tetovës
- Rektori i Universitetit të Tetovës, prof. sr. Jusuf Zejneli sot e mirëpriti në vizitë ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në vendin tonë, Ozlem Canel e shoqëruar nga stafi dhe Pranvera Kasami nga Instituti për lidership dhe politika publike.
- Post By Fami Bajrami
- 16:23, 8 tetor, 2025
Tetovë, 8 tetor 2025 (MIA)- Rektori i Universitetit të Tetovës, prof. sr. Jusuf Zejneli sot e mirëpriti në vizitë ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në vendin tonë, Ozlem Canel e shoqëruar nga stafi dhe Pranvera Kasami nga Instituti për lidership dhe politika publike.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë që ofrojnë universitetet e Holandës për studentët dhe stafin akademik të Universitetit të Tetovës si dhe për thellimin e bashkëpunimit akademik dhe kulturor ndërmjet dy vendeve. Rektori Zejneli u shpreh se universiteti ynë është gjithmonë i hapur për bashkëpunime ndërkombëtare të cilat u ofrojnë studentëve tanë mundësi zhvillimi profesional dhe akademik, ndërsa Holanda është një shembull i shkëlqyer i arsimit cilësor dhe inovativ.
Ndërsa ambasadorja e Holandës, Ozlem Canel u shpreh e lumtur për prezencën e saj në Universitetin e Tetovës dhe theksoi se universitetet e Holandës ofrojnë një gamë të gjerë mundësish për studime dhe kërkime dhe se padyshim nuk mungon gatishmëria për të mbështetur projekte të cilat i ndihmojnë studentët të ndërtojnë një të ardhme të suksesshme.
Pas takimit me rektorin, ambasadorja Canel mori pjesë në ngjarjen me temë: “NextGen Career Talk“ aktivitet ky që u zhvillua në kuadër të një projekti të mbështetur nga ambasada e Mbretërisë së Holandës. Në këtë bashkëbisedim morën pjesë studentë, profesorë dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme, të cilët ndanë përvoja dhe ide mbi zhvillimin profesional dhe mundësitë e punësimit për të rinjtë.