• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Ambasadorët e Kuintit në takim me krerët e lartë të Kosovës lidhur me anëtarësimin e Kosovës në KE

Ambasadorët e Kuintit në takim me krerët e lartë të Kosovës lidhur me anëtarësimin e Kosovës në KE

Prishtinë, 3 prill 2024 (MIA) - Ambasadorët e pesë shteteve më të fuqishme të akredituara në Kosovë – Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, të njohur si “Grupi i Kuintit” janë pritur vonë pasditen e sotme nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në takimin e mbajtur në zyrën e Osmanit ishin të pranishëm edhe kryeministri, Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ndërsa i vetmi informacion që ka bërë të ditur kabineti presidencial është se kreu i shtetit të Kosovës po diskuton me përfaqësuesit diplomatikë të Kuintit për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

"Takimi i presidentes Osmani, kryetarit të Kuvendit Konjufca dhe kryeministrit Kurti me ambasadorët e vendeve të Kuintit në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës", thuhet në njoftimin e shkurtër të kabinetit të Osmanit, shoqëruar nga një foto nga takimi.

Raporti i raportueses speciale të KE-së për Kosovën, Dora Bakojani do të votohet para Asamblesë parlamentare të Këshillit më 16 prill, ndërsa Komiteti i ministrave të vendeve anëtare të KE-së, sipas njoftimeve nga Strasburgu më 16 dhe 17 maj do të mbajë seancën e 133-të ku pritet të votohet kërkesa e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë. qa/

 

QËNDRONI TË LIDHUR