• e premte, 05 dhjetor 2025

Aliu-Kuzmanovska: Me rastin e Fundjavës Evropiane për Dhurimin e Organeve: Shpëtohen jetë dhe jepet një shans i dytë

Aliu-Kuzmanovska: Me rastin e Fundjavës Evropiane për Dhurimin e Organeve: Shpëtohen jetë dhe jepet një shans i dytë

Shkup, 10 tetor 2025 (MIA) - Që nga fillimi i këtij viti, ekipet e transplantimit, të cilat punojnë me përkushtim dhe sakrificë të jashtëzakonshme, kanë kryer transplantime të veshkave te gjashtë pacientë nga donatorë të vdekur, dy transplantime të mëlçisë nga donatorë të vdekur, si dhe transplantime të kockave dhe ligamenteve, informoi sot ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, i cili mori pjesë në një takim pune me rastin e Fundjavës Evropiane të Dhurimit të Organeve, të organizuar nga koordinatorja kombëtare e transplanteve, Prof. Dr. Biljana Kuzmanovska, dhe menaxhmentet e klinikave universitare për kirurgji digjestive, urologji dhe nefrologji.

Aliu siguron se ka përkushtim të vazhdueshëm në përmirësimin e kësaj veprimtarie dhe në përgatitjen profesionale të ekipeve për transplantim. Gjatë periudhës së kaluar, shtatë mjekë kirurgë dhe një specialist nefrolog janë dërguar për trajnim në Republikën e Turqisë për transplantimin e veshkave. Po ashtu, në fushën e transplantimit të mëlçisë, dy kirurgë janë trajnuar në Turqi për transplantim nga donatorë të gjallë.

"Dhurimi i organeve paraqet aktin më të lartë të humanitetit dhe solidaritetit, dhe njëkohësisht është shpresë për pacientët – dritë në fund të tunelit që u shpëton dhe u zgjat jetën. Synimi ynë është të flasim sa më shpesh për dhurimin e organeve si një temë jashtëzakonisht e rëndësishme mjekësore dhe shoqërore", deklaroi ministri Aliu. 

Siç informon Ministria e Shëndetësisë, shënimi i Fundjavës Evropiane të Dhurimit të Organeve është një iniciativë e Komisionit Evropian me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit publik për rëndësinë e këtij akti që shpëton jetë njerëzore.

Prof. dr. Kuzmanovska shprehu mirënjohje të sinqertë për të gjithë dhuruesit dhe familjet e tyre, të cilët edhe në momentet e dhimbjes më të madhe, morën një vendim të guximshëm për të dhuruar jetë.

"Dhurimi i organeve paraqet një nga shprehjet më të larta të mirësisë njerëzore – një akt me të cilin shpëtohen jetë dhe jepet një shans i dytë.",- tha prof. dr. Kuzmanovska.

Drejtori i Klinikës Universitare për Kirurgji Digjestive, dr. Ognen Kostovski, informoi se klinika ka bërë një hap të madh përpara në transplantimet e mëlçisë, të cilat janë ndër transplantet më komplekse dhe përbëjnë një sfidë të madhe për ekipet mjekësore.

Dr. Bashkim Shabani, drejtor i Klinikës për Urologji, foli për përmirësimet në Qendrën e re për Transplantim, e cila është rinovuar tërësisht, si dhe për rritjen e vazhdueshme të numrit të ekipeve që realizojnë transplantime, gjithashtu, drejtori i Klinikës për Nefrologji, dr. Nikola Gjorgjievski, theksoi rëndësinë e dhurimit të organeve, veçanërisht për personat me sëmundje të veshkave, duke theksuar se kjo është metoda më e mirë për shërimin e tyre. sa/

Foto: Ministria e Shëndetësisë

QËNDRONI TË LIDHUR